Mediat serbe shkruajnë se në takimin e liderëve të rajonit me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez Emmanuel Macron në Paris, më 1 korrik do të mund të formulohet një kornizë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ndërsa propozimi final do të duhej të miratohej deri në fund të vitit.

Nëse do të realizohej një skenar i tillë, referendumi në Serbi lidhur me Kosovën do të mund të mbahej në pranverën e vitit 2020, së bashku me zgjedhjet e rregullta parlamentare serbe.

Një opsion të tillë, siç shkruan gazeta serbe “Blic”, kanë konfirmuar burime të ndryshme nga qarqet diplomatike.

Mirëpo, një skenar i tillë do të jetë i mundur vetëm nëse ndodh takimi i Parisit.

Siç është spekuluar kohët e fundit, kancelarja Merkel dhe presidenti francez Macron kanë mospajtime rreth asaj se si do të zgjidhet presidenti i ri i Komisionit Evropian, por edhe rreth asaj se kush do të jenë kandidatët për institucionet evropiane. Edhe pse në opinion duan të lënë përshtypjen se çdo gjë është në rregull dhe se nuk ka mosmarrëveshje, burime të afërta me të dyja palët konfirmojnë se ka pasur një ftohje në raportet mes dy figurave më të fuqishme politike evropiane, shkruan gazeta beogradase.

“Në qoftë se vjen deri te takimi i 1 korrikut në Paris, gjë që nga perspektiva e sotme duket shumë larg dhe i pasigurt, atëherë mund të presim që atje të formulohet një kornizë apo platformë, e cila duhet të shërbejë si një pikënisje për një zgjidhje përfundimtare të problemit”, i ka thënë gazetës beogradase një burim diplomatik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb