Mediat serbe shkruajnë se deri në fund të këtij viti, shtetasit serbë do të mund të udhëtojnë në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore pa pasaportë, vetëm me letërnjoftim, dhe atje të punësohen me leje ekzistuese të punës, ndërsa në vendkalimet kufitare të këtyre tre vendeve do të realizohej kontrolli i përbashkët doganor, i cili sipas vlerësimeve të para rezulton me kursime deri në 129 milion euro.


Gazeta serbe “Blic”, e cila ka publikuar një hartë të “Mini Shengenit’, në të cilën Kosova është përshfshirë si pjesë e Serbisë, shkruan se këto janë marrëveshjet ose deklaratat më të rëndësishme të “Mini Shengenit” që mbështet qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit midis tre vendeve, të nënshkruara të shtunën nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai i Maqedonisë Veriore dhe Zoran Zaev në Ohër, ku iu ishin bashkangjitur në bisedime edhe Kryetari i Këshillit të Ministrave të BeH-së Denis Zvizdiç dhe Ministrja e ekonomisë malazeze Dragica Sekuliç.


Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka thënë se kjo është një iniciativë shumë e rëndësishme për Serbinë dhe se ai është krenar që “ata kanë rënë dakord për gjëra të rëndësishme në një kohë të shkurtër”, shkruan Blic, raporton Telegrafi.


Sipas hartës së publikuar nga gazeta serbe në ‘Mini Shengenin ballkanik’ do të përfshiheshin Serbia [me Kosovën brenda kufijve të saj], Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia Veriore dhe Bosnja e Hercegovina. Ky Union do të kishte 16,5 milionë banorë dhe një sipërfaqe prej 207 mijë e 831 kilometra katror.

Harta Minishengen
Harta Minishengen

Takimi në Ohër ka nxitur reagime dhe kundërshtimin e krerëve shtetërorë dhe liderëve politikë në Kosovë dhe në Shqipëri.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thanë se kishte marrë ftesë për këtë takim, në një postim në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë takim për shkak të siç ka thënë anashkalimit që i është bërë Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad më nismën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

Krijimin e një “Mini-Shengeni” e ka kundërshtuar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Sipas tij, kjo çon në krijimin e një “Mini-Jugosllavie”.

Reagime të rrepta ndaj këtij projekti ka pasur edhe nga politikanë e deputetë të tjerë në Kosovës.
Zëvendësministri në largim i Mbrojtjes dhe Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, idenë e Unionit ballkanik [Mini-Shengenit], e ka quajtur një kurth të Serbisë pro-ruse, ndërsa mos pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Ohrit e konsideron një argument të mjaftueshëm që Shqipëria të mos jetë pjesë e kësaj ideje.

Ndërsa, në Shqipëri, më i zëshmi në reagimet ndaj kësaj ideje ishte ish-kryeministri Sali Berisha, i cili tha se projekti i nisur nga Edi Rama dhe Alesksandar Vuçiç ka për qëllim të izolojë edhe më shumë Kosovën, ta defaktorizojë ekonomikisht dhe ta dobësojë në marrëveshjen finale me Serbinë.

Ai ka thënë se ide të tilla të faktorizimit të Serbisë karshi Kosovës datojnë nga pushteti i Enver Hoxhës, i cili kishte nisur bashkëpunimin me diktatorin jugosllav Tito. Takimi tjetër i “Mini Shengenit” ballkanik do të mbahet në Durrës më 21 dhjetor, e aty do të marrë pjesë edhe shefi për politikë të jashtme i BE-së Joseph Borell.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb