TIRANË-Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Beograd, pjesë e Samitit të Kinës dhe 16 vendeve të Evropës Juglindore, që zhvillohet në Beograd.

Ndërkohë që mediat serbe raportojnë takimin, duke mos shfaqur në asnjë foto Ramën, vetë Rama informon për çfarë diskutohet në samit përmes një postimi në rrjetin social FB.

“Tani po, është gati me 1 formulë të re partneriteti që do promovohet nga kryeministri kinez në Samitin e Beogradit si një financim inovativ!”- shkruan Rama.

E përditshmja Kurir raporton se Rama ka mbërritur me vonesë, për shkak të motit jo shumë të favorshëm që ndikoi në fluturim.  “Rama duhet të mbërrinte në orën  11:15, megjithatë fluturimi do të vonohet për të paktën një orë për shkak të motit të keq”- shkruan Kurir.

Rama shoqërohet në Serbi nga nga dy ministra, ai i Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe ai i Transportit, Edmond Haxhinasto.

Ky samit është përgatitur nën masa të rrepta sigurie dhe nën mbikëqyrjen e mbi 7 mijë policëve.

Mediat vendase njoftojnë se në pika kyçe janë vendosur edhe snajperë, për të ndaluar çdo person të dyshimtë që do të tentojë të shkaktojë kaos. Masat e sigurisë janë kërkuar më së shumti nga Kina, për shak të grupimeve politike që kundërshtojnë politikën e qeverisë kineze.

Një ditë me parë, e përditshmja serbe “Kurir” njoftonte se masat e sigurisë kanë nisur prej kohësh. Madje sipas saj, Serbia ka ngritur një njësi të posaçme “antidron” para samitit Kinë-Ballkan, që sot do bëjë “provën gjenerale”.

Gjatë samitit dyditor, një helikopter i policisë serbe do të qëndrojë në gatishmëri për të monitoruar hapësirën ajrore, ndërkohë që në tokë, njësia anti-terror do të sigurojë mbarëvajtjen e aktivitetit.

Ajo që pritet me interes në këtë vizitë të kreut të qeverisë shqiptare, është takimi me kryeministrin Aleksandër Vuçic.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb