Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të nënshkruajë sot tre urdhra ekzekutivë që kanë për synim reformimin e strukturës së forcave të armatosura. Një nga dispozitat është ajo që parashikon ndalimin e personave transgjinorë që shërbejnë në ushtri, eliminimin e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes.

Po ashtu pritet rikthimi në detyrë me kompensim i ushtarëve të pushuar nga puna për shkak të refuzimit të vaksinimit kundër Covid-19, njofton CNN, duke cituar dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.

Ndërkohë dispozitat, bën të ditur New York Post, mbërrijnë pas betimit të Pete Hegseth si kreu i Pentagonit të shtunën më 25 janar. Hegseth ka deklaruar vazhdimisht synimin e tij për të futur ndryshime të rëndësishme kulturore brenda Forcave të Armatosura, duke përfshirë heqjen e praktikave të DEI (Diversiteti, barazia dhe përfshirja) dhe largimin e ushtarëve “të zgjuar” (konsiderohen ata që ndajnë mendime kritike).

Trump tashmë i kishte ndaluar transgjinorët të shërbenin në ushtri edhe në vitin 2017, gjatë administratës së tij të parë.

Sidoqoftë, në vitin 2021, presidenti i atëhershëm Joe Biden e kishte hequr atë ndalim me një urdhër ekzekutiv. Vetëm disa orë pasi u betua për mandatin e tij të dytë, Trump tashmë nënshkroi një urdhër javën e kaluar duke anuluar vendimin e administratës Biden.

Megjithatë, sipas një prej dy burimeve të cituara nga CNN, urdhri që pritet të nënshkruajë sot Trump shkon më tej dhe vendos ndër të tjera standarde të reja për përdorimin e përemrave gjinorë. Urdhri argumenton se përjashtimi i personave transgjinorë nga ushtria imponohet nga kërkesat e gatishmërisë mendore dhe fizike që kërkohen nga personeli i forcave të armatosura.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb