Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ishte në Bruksel së bashku me disa deputetë të PD, ku ka njoftuar se në takimet e zhvilluara në Parlamentin Europian ka folur në lidhje me situatën në Shqipëri dhe problematikat me të cilat përballet vendi ynë.
Në një intervistë në News 24 pas kthimit nga Brukseli, Mediu tha se ka folur në Bruksel për faktin se Shqipëria është kthyer në Republikë kryeministrore, se Kushtetuta në vend nuk respektohet, votat vidhen etj.
“Ne kemi pasur disa takime. Ne kemi zhvilluar dy Asamble në të njëjtën kohë. Ne kemi kërkuar nevojën për zgjedhje të lira e të ndershme. Ndërkombëtarët duan të mbështesin opozitën në kauzat e saj. I bëra me dije se jemi kthyer në Republikë kryeministrore, Kushtetuta nuk respektohet, votat vidhen.
Iu bëra me dije se drejtësia po përdoret për interesa politike. Drejtësia e re ka ndikuar, që Rama të ketë rrugën e hapur. Kjo që i bëhet opozitës është për të çarë e përçarë atë, për ta bërë atë sikur është problemi. Rama ka 12 vite në pushtet dhe ka korrupsion e nuk është pyetur ndonjëherë nga drejtësia. Mua më kërkohet të di se kush ishte roje në Gërdec, gjëra që nuk kanë qenë kompetencat e mia. Ka një standard të dyfishtë nga drejtësia e re”, tha ai.
I pyetur për votën e diasporës, Mediu nënvizoi se maxhoranca ka nisur me manipulimet që tani. Ai u shpreh se mendon se diaspora është opozitare, por se qeverisja ka nisur patronazhimin edhe jashtë Shqipërisë.
“Mazhoranca ka nisur me manipulimin e votës së diasporës. Këtë po e bën me patronazhimet, me trupin diplomatik. PS siç ka bërë në Shqipëri, do që të bëjë edhe jashtë. Të rinjtë që kanë ikur nga vendi nuk kanë arsye për të votuar Ramën. Unë mendoj se diaspora është opozitare. Ne duhet të zgjedhim kandidatët e duhur për diasporën, që mund të bëhen pjesë e veprimtarisë politike të PD dhe të arrijmë sigurisht fitoren”, deklaroi Mediu.
(Bakanweb)