LONDER- “Mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është tregues i qartë i shmangies nga funksionimi demokratik i vendeve në rajon, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar kane fituar pushtet politik dhe vendimmarrës”. Kështu deklaroi ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, i pranishëm si një nga organizatorëve në Forumin për Sfidat në Ballkanin Perëndimor, bashkë me ish-Sekretarin Britanik i Mbrojtjes Lord Des Browne, në bashkëpunim me ELN (Rrjeti Lidershipit Evropian). Në këtë forum u diskutuan çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor, të ardhmen e tij evropiane, rolin e NATO-s, ndikimi rus dhe ai turk, interesi i Kinës për të investuar në sektorët strategjikë të lidhur me sigurinë etj.

Në këtë takim morën pjesë Përfaqësues nga Amerika, David Philips, i cili ngriti shqetësimin për ndikimin turk dhe vasalitetin e hapur të disa drejtuesve të rajonit ndaj Erdoganit dhe interesave jo transparente me Turqinë, këmbënguli për një zgjidhje përfundimtare të dialogut Serbi-Kosovë brenda 2019.

Mediu theksoi po ashtu edhe nevojën që reformat e rëndësishme që kërkohen nga BE përveç formës, duhet te implementohen drejt në mënyrë që të shmangen situata si ajo me reformën në drejtësi në Shqipëri, e cila ka vendosur në kolaps dy gjykata të rëndësishme, atë Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.
“Retorika nacionaliste në rajon përdoret për qëllime të përfitimeve politike; shumë konflikte të fjetura mund të bëhen aktive”, tha Mediu. Ai pohoi se prezenca ushtarake ruse në rajon është një kërcënim për stabilitetin, ashtu si dhe tendenca për të kontrolluar besimet e ndryshme fetare, apo sistemin e edukimit, investimet jo transparente me interesa klienteliste dhe politike do të kenë pasoja për Ballkanin dhe te ardhmen e tij.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: