NGA MARSELA KARAPANCO* TIRANE – Partia Republikane me qëllim sigurimin e fitores në Durrës, ka dhënë konsensusin e saj për kandidaturën e propozuar nga Partia Demokratike, Grida Duma. Kreu i PR-së Fatmir Mediu siguroi se Duma do të ketë edhe mbështetjen e vetë deputetit Agron Duka. “Ne e kemi thënë që z.Duka ka qenë një kandidat i propozuar nga Partia Demokratike, me bindjen për të fituar Bashkinë e Durrësit.

Në konjukturën e diskutimeve të mëvonshme, kemi deklaruar se duam të vlerësojmë kandidaturat e Partisë Demokratike, dhe PD ka ardhur me kandidaturën e znj.Duma, që është tashmë një autoritet politik dhe një zë opozitar. Në këtë kuadër kemi arritur në mirëkuptimin për të dhënë mbështetjen që të fitohet Bashkia e Durrësit. PR do të bëjë më të mirën që Duma të jetë kryetarë e bashkisë, edhe Z.Duka gjithashtu.” – u shpreh Mediu.

Përsa i përket kandidateve për 60 bashkitë e tjera, Mediu sqaroi se emrat e tyre do të vijnë si rezultat i një qëndrimi të përbashkët PD-PR. “Emrat që ne kemi propozuar, kanë qenë për diskutim, jo për imponim. Të dyja palët kemi propozuar emra që kanë gjetur mbështetje të përbashkët. Po e ritheksoj edhe njëherë se nuk ka një logjikë tjetër, përveçse një qëndrim të përbashkët”- shtoi më tej Mediu. Megjithatë, kreu republikan tha se vendimi përfundimtar do të arrihet në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme ditën e hënë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: