TIRANË

Kryetar i PR-së, Fatmir Mediu nga foltorja e Kuvendit u shpreh se shqiptarët po jetojnë në kohët më të errëta, pasi siç tha ai, qeverisja po nxit largimet dhe po shton varfërinë në vend.

Deputeti Mediu hodhi akuza të  forta për kryeministrin Rama, duke e etiketuar atë si “Enver Hoxha i dytë”.

“Përpara katër ditësh, Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi një seancë nga më të turpshme në historinë e vet. Kushtetuta nuk ka më vlerë. Kjo mazhorancë kontrollohet dhe është kthyer në zëvendëse të qeverisë.  Sot është kryeministër dhe njëherësh ministër i jashtëm, as më shumë dhe as më pak si  Enver Hoxha dikur. Edi Rama dhunoi PS, duke shkatërruar debatin e lirë. Frika e mandatit bën që të ulin kokën bën që të votoni kundër vetes dhe kundër interesit kombëtar”, tha ai.

Gjithashtu Mediu nuk kurseu as kolegët e tij deputetë nga PS-ja, ku sipas tij, kanë ulur kokën duke votuar kundër vetes dhe në dëm të interesit kombëtar. Ai tha mes tjerash se Shqipëria ka humbur terren në politikën e saj të jashtme.

“Ju po i thoni kryeministrit: Bëj çfarë të duash, merr çfarë të duash. Vendi po shkon drejt qorrollisjesh pa fund dhe kombi drejt çorientimeve të mëdha. Do të këtë më shumë korrupsion, më shkumë krim, më pak shqiptarë. Më pak ekonomi, më pak biznese. Çfarë shteti po ndërtojmë? A kontrollon qeveria gjithçka? Duke i dhënë përgjigje kësaj, ne kuptojmë se në çfarë periudhe po jetojmë. Kjo qeveri ka vendosur shqiptarët para dy alternative, të vendosen para varfërisë apo të largohen. Kryeministri është i lumtur që të largohen shqiptarët. Qeveria është një fasadë e lyer”, shtoi Mediu.

Mediu u shpreh ndër të tjera se kjo mazhorancë do shkatërrojë të gjitha pushtetet vetëm për interesa personale dhe se protesta e studentëve tregoi kalbëzimin e kësaj qeverie.

“Shumë zhvillime nuk janë në favor të shqiptarëve. Ideja e ndryshimit të kufijve, nuk shoh asnjë qëllim të realizuar. Shoh mundësinë e rifillimit të konflikteve. Çfarë po ndodh që Gjermania është kundër shkëmbimit të territoreve? Ne kemi detyrën që të sigurojmë një Ballkan perëndimor. Protesta e studentëve tregoi kalbëzimin e kësaj qeverie. Studentët janë fytyra e së ardhmes. Kjo mazhorancë do shkatërrojë të gjitha pushtetet vetëm për interesa personale”- tha ndër të tjera Mediu.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb