Akademiku i njohur, Artan Fuga, ngre pikëpyetjen nëse ish-kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu, është vrarë apo vetëvrarë.


Në një mesazh në “Facebook”, Fuga bën pyetjen dyshuese “A mundet një njeri që gjendet i vrarë, pasi ka lënë një letër se do të vetëvritet, mos jetë vetëvrarë, por ta kenë vrarë?


Mesazhi i Artan Fugës:


Vrasje apo vetëvrasje?

A mundet një njeri që gjendet i vrarë, pasi ka lënë një letër se do të vetëvritet, mos jetë vetvrarë, por ta kenë vrarë?

Ka një ngjarje në historinë e Shqipërisë që vazhdon edhe pas dyzet vjetësh të tërheqi vëmendjen e atij brezi që ka jetuar atëhere si edhe të historianëve dhe mediave.

Ish kryeministri i atëhershëm, në atë dhjetor 1981, u vra apo u vetëvra?

Ata që e kanë mbyllur dyshimin e tyre dhe thonë se ishte një vetëvrasje, si provë marrin faktin që i ndjeri kishte shkruar një letër ku pasi rrëfente pezmin e tij, po i thoshte Enver Hoxhës se meqë nuk i kishte lënë rrugë tjetër po vriste veten.

Historianët, ndofta edhe të tjerë, me lehtësi kujtojnë se kanë gjetur një provë të pakundërshtueshme të vetëvrasjes. Një njeri që le një letër vetvrasjeje, dhe vritet, domethënë se është vetëvrarë.

Këtu nis budallalliku i historianit, amator ose gjoja profesionist, që merr letrat dhe dokumentet për prova, i cili i zhytur në një metodologji lineare, duke mos njohur se çfarë është komunikimi bien në gabime logjike.

Unë nuk di gjë për ngjarjen konkrete, nuk kam ndonjë studim për këtë sepse nuk është më është dashur, ndonëse kam libër për tipologjinë antropologjike të totalitarizmit shqiptar.

Por, a është e mundur që njeri që le një letër ku thotë se po vetëvritet, dhe gjendet i vrarë më pas, të mos jetë vetëvrarë por vrarë?

Teorikisht po, patjetër, pa problem.

1. Dikush nga bashkëpuntorët e tij i thotë : shkruaj një letër Enverit dhe thuaji se po vret veten, ne ja çojmë dhe kështu ai do të kuptojë se duhet të ndërhyjë shpejt, pa kaluar ti në akt, ta mbylli këtë muhabet, dhe nuk dënohesh. I ndjeri nuk ka rrugë tjetër dhe e shkruan. Ndërkohë e vrasin. letra është shkruar, hiqet qafe.

2. Ai vetë shkruan një letër ku thotë se do të vetëvritem, por jo medoemos e ka këtë synim atë ditë ditë ose atë çast, thjesht e shkruan ta ketë si version për një moment të dytë ku nëse do të vendoste ta vriste veten, të mos humbëte kohë ta shkruante letrën. Por, dikush e konstaton ose e merr vesh letrën dhe gjen rastin ta vrasi.

3. Dikush i thotë se do të eliminohesh, prandaj rruga më e mirë është të shkruash një letër ku të thuash këtë që do të vetëvritesh. Mbase do të shpëtosh pjesën tjetër të familjes. I ndjeri e shkruan letrën e vetvrasjes, por heziton ta vrasi veten. Atëhere ata që e kanë kërcënuar kryejnë aktin.

4. I ndjeri për t’u lehtësuar shkruan se do të vrasi veten, por jo medoemos e ka vërtet atë synim imediat. Bën psikologjikisht një sprovë me veten, sesi do t’i dukej po ta bente pergjysem aktin e vetvrasjes, por bën vetëm gjysmën e kthyeshme. Shkruan se do të vritet, por kur sheh gjysmen e veprimit të bërë, ka peshtjellim dhe lemeri dhe nuk e ben aktin e vertete. Por, kaq duhet që ai të ekzekutohet sepse letren e ka shkruar.

Sigurisht, Mehmet Shehu ka shumë mundësi të ketë vetvrarë veten.

Se mos ka ndonjë rëndësi kjo tani.

E kam gjetiu.

Si është e mundur që historianë amatorë ose që e quajnë veten profesionistë marrin copën e letrës automatikisht si dokument, marrin letrën si provë, konsiderojnë se një njeri i vrarë meqë ka lënë një letër se do të vrasi veten, është sigurisht i vetëvrarë.

Pale kur thonë se edhe vetë i biri e pranon. Pse po të jesh i biri nuk ja fut kot??? Statusi i dëshmitarit të besueshëm nuk lidhet fare me statusin familjar. Aq më pak i historianit nuk të jep sigurinë që gabime logjike t’i marrësh për prova historike.

Se po u pranua se ka një vrasje pasi shkruhet një letër për vetvrasje, atëhere gjithçka ndryshon. Ndryshon shumë. Por, nuk po i shkoj rrjedhojave deri në fund.

Puna është sesa lehtë bëhet gabimi logjik në analizën e ngjarjeve historike nëse historiani ngatërron: dokumentet me provat, ngatërron atë që është shkruar me atë që ka ndodhur ose mund të ketë ndodhur, ngatërron shkakun iluzor me shkakun e vërtetë! Do të thotë ndokush: Po ky çne sot me këtë? Hiç o kot, ashtu m’u kujtua duke ecur!

Fuga
Fuga

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb