Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj e pranishme sot në protestën e banorëve të Astirit, ka theksuar mbështetjen e padiskutueshme për ta. Mehmetaj teksa paralajmëroi qeverinë për hapin e radhës, u shpreh nuk mund të ‘shkelet’ mbi shtëpinë e banorëve, pa u bërë shpronësimi i plotë.

Deputetja e cilësoi shembjen e shtëpive një ‘cak’ që nuk duhet kaluar, sepse sipas saj qeveria do përballet me gjithë qytetarët e Shqipërisë, jo vetëm të Unazës së Re.

E pyetur  nëse LSI do të mbështesë çdo ditë banorët në protestë, Mehmetaj tha se banorët po trajtohen si kafshë, ndaj edhe do të jenë krah tyre në këtë sfidë.

 Pjesë nga fjala e Kejdi Mehmetaj

 Banorët të jenë të bindur që ne do të jemi këtu me ta, do të jemi krah tyre. Në fakt jo vetëm ne, por të gjithë qytetarët shqiptarë. Sepse sot të gjithë qytetarët shqiptarë janë banorë të Unazës së re. Në fakt nuk ka asgjë më të keqe për familjet shqiptare sesa të të marrin strehën pronën dhe shtëpinë, që e ke paguar me djersë dhe me gjak dhe me të cilën mban fëmijët e tu. Dhe kushdo që vjen dhe guxon e prek shtëpinë e shqiptarit, duhet të matet mirë. Sepse nuk do përballet jo vetëm me qytetarët këtu, por do përballet edhe me qytetarët e të gjithë Shqipërisë. Pa u bërë shpronësimi i pronave 100% me çmimin e tregut dhe pa u zbardhur afera korruptive e jashtëzakonshme që po ndodh këtu me rrugën e Unazës së Re, as ky kryeministër nuk mund të shkeli në shtëpitë e banorëve. Dhe ky është një cak që nuk duhet kaluar dhe të mos provojë njeri që ta kalojë

A do vazhdojë Lëvizja Socialiste për Integrim të mbështesë çdo ditë protestën e banorëve?

Padyshim që do të jemi këtu. Do të jemi me ta nga mëngjesi deri në darkë, sepse nuk është vetëm problemi i pronës. Tani fëmijët e tyre janë të arrestuar, por jo vetëm. Po dhunohen si kafshë nga oficerët e policisë duke i zvarritur nëpër rajone. Burrat e tyre janë të arrestuar. Gra e nëna, të cilat nga dhuna që është ushtruar ditëve të protestave kanë plagë në trup. Kështu që ne jemi me ta nga mëngjesi deri në darkë dhe do jemi krah tyre në çdo moment të kësaj sfide, që është mbi çdo sfidë tjetër.

(Balkan Web)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb