Nga: Gjergj Frashëri*
DURRES – Kur mbas fjalës muze vjen fjala Durrës, kaq do t’i mjaftonte vizitorit të harruar të sillte ndër mend thesaret arkeologjike nga Epidamni prehistorik, Dyrrahu antik dhe Durrësi mesjetar, që kishte parë dikur në vitrinat e Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Një lajm i mirë doli nga vizita paradisaditëshe e kryeministrit në ndërtesën e këtij muzeu, ku drejtuesit e Ministrisë së Kulturës e siguruan atë, se më në fund pas gati pesë vjetësh, dyert e Muzeut Arkeologjik të Durrësit do të rihapen për vizitorin në pranverën e ardhshme (Rehabilitohet Muzeu Arkeologjik i Durrësit, i harruar prej 20 vjetësh, gaz. Shqiptarja.com, 6 Dhjetor 2014).
Kujtojmë, se ashtu si vetë themelimi i Institutit të Shkencave në Tiranë më 1948, edhe ngritja e Muzeut Arkeologjik të Durrësit ishte një nga veprat e para historike të Pasluftës në Shqipëri. Përmes varfërisë dhe analfabetizmit të viteve të para të pasluftës, u arrit më 1950 të ngrihej Muzeu i Butrintit, ndërsa në mars të vitit 1951 me iniciativën e studiuesit të arkeologjisë Vangjel Toçi (1920-1999) u krijua Muzeu Arkeologjik i Durrësit, i ndjekur nga ngritja po atë vit të Muzeut Arkeologjik të Tiranës dhe më 1958 nga Muzeu i Apolonisë. Muzeu i vjetër i Durrësit në një vile me oborr (në afërsi të hotel ‘Vollgës’) u shërbeu për disa dekada vizitorëve, me seriozitetin më të mundshëm shtetëror. Muzeu i sotëm, i ndërtuar tërësisht i ri prej një financimi donator gjerman i përuruar në më 13 prill 2002, mori një hapësirë më të bollshme në të njëjtën rrugë buzë detit si muzeu i vjetër, i përshtatshëm për arritjen nga vizitorët. Por si shumë vepra të ndërtuara dhe të konceptuara në dy dekadat e fundit në vendin tonë, edhe Muzeu i ri Arkeologjik i Durrësit nuk pati jetë të gjatë. Tetë vjet më vonë pas inaugurimit, në vitin 2010 disa nëpunës të lartë demokratë i “zbuluan” atij një sëmundje të rëndë. Strategët e trashëgimisë kulturore i mbyllën dyert e muzeut dhe i zbrazën sallat e vitrinat nga thesaret arkeologjikë.
Më pas u derdhën “pathollogët” e “kirurgët” e shtetit dhe të qeverisë, të cilët e mbuluan muzeun nga koka deri te këmbët me përkujdesën e tyre tashmë të “tranzicionit”, duke e shtyrë atë në odisenë e pafundme të hulumtimeve, riparimeve, rinovimeve, rikonstruksioneve dhe “rivitalizimeve” muzeore. (Pak a shumë si odisea e llojit të hotel ‘Dajtit’ në Tiranë).
Po mbushen tashmë pesë vjet qëkurse u mbyllën dyert e këtij muzeu kombëtar, por Ministria e Kulturës nuk na e bëri asnjëherë të qartë zyrtarisht – Përse? Edhe sot nuk dihet, se cili është shkaku i vërtetë, që ndërtesa e re e përuruar më 2002 dhe e pajisur me mbi 2000 objekte të ekspozuara në vitrinat e saj, doli një mëngjes të vitit 2010 – e paaftë për të shërbyer si muze dhe u mbyll hermetikisht për vizitorin? Përgjigjen nuk e dëgjuam as kësaj radhe nga Ministrja e Kulturës, zonja Kumbaro dhe as nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, zoti Dako, në raportimin që ata i bënë kryeministrit në prani medies. Përpara se të mbyllej ky muze në vitin 2010, ne i patëm dokumentuar të gjitha vitrinat e atëhershme. Po presim të mësojmë, se cila do të jetë e reja në përmbajtjen e stendave dhe vitrinave të tij, që justifikon qëndrimin mbyllur të muzeut për gati pesë vjet dhe harxhimet 1,2 milionë dollarë? Natyrisht presim të shohim edhe çfarë nuk është më prej atyre që ishin, madje të dëgjojmë, edhe pse ato nuk janë më?
Në katër vjetët fundit janë ulur në kolltukun ministror pesë ministra kulture. Nuk dimë shkak tjetër për këtë, ndoshta progresi i meritokracisë profesionale. Të gjithë e lanë kolltukun me Muzeun e Durrësit të mbyllur. Secili prej tyre njoftoi, se ishte duke punuar me zell për bërjen e një muzeu modern arkeologjik në Durrës, një muze-model për turizmin bashkëkohor. Por në fakt, muzeu mbeti me vite i mbyllur. Të njëjtën gjë përsëriti edhe Ministria e sotme e Kulturës, se edhe ajo po punon me zell të madh për përfundimin e muzeut-model arkeologjik të Durrësit për turizmin bashkëkohor. Bile, po bën diçka më tepër. Me guxim revolucionar dhe në prani të medieve ajo i deklaroi kryeministrit të vendit, se “prej katër vitesh Muzeu Arkeologjik i Durrësit qëndron i mbyllur, ndonëse në vitin 2010 për rikonstruksionin e tij u akordua një fond prej 1 milion e 200 mijë dollarësh, më të cilin nuk u bë asgjë” (Rama: Pas 20 vitesh rrënim, po del në dritë thesari arkeologjik i Durrësit, Balkanweb, 06/12/2014). Vërtet? Duket si diçka e pabesueshme kur e dëgjon! Po ç’domethënë ju lutem – nuk “qenka bërë asgjë”! Kujdes pak, se jetojmë në një situatë tejet revolucionare kundër korrupsionit. Po ku janë përdorur 1,2 milionë dollarë atëherë? Nuk mjafton në sytë tanë, fjalët në erë të një ministreje përpara eprorit të saj. Duam që Ministria e Kulturës të hetojë mbi shpenzimet katërvjeçare të muzeut dhe ta bëjë rezultatin të ditur me përgjegjësi qeverisë dhe publikut. Si shumë gjëra të errëta që vërtet nuk kanë shkuar si duhet katër vitet e fundit në operacionin mortor të pasurisë arkeologjike të Muzeut të Durrësit, ka ardhur dita, që Ministria e Kulturës të heqë një vizë prodhim+financim për të kaluarën 2010-2013 të Muzeut të Durrësit, ndaj atyre pas qershorit 2013.
Vetëm lajmi për përurime nuk përbën më sukses në Shqipëri, kur sfondin e objektit që përurohet e shoqërojnë shpërdorimet shumëvjeçare për realizimin e tij. Kemi prerë shirita inaugurimi të rrugëve anekënd vendit, por nuk gëzojmë ende një prej këtyre rrugëve… As Muzeu i Durrësit nuk bën përjashtim. Durimi qytetar mbi zvarritjen kohore në hapjen e muzeut, e shoqëruar edhe me paditurinë e shpenzimeve financiare mbi “rikonstruksionin” disavjeçar të tij, shpërblehet vetëm me hetimin dhe deklarimin transparent të tyre nga administrata e Ministrisë së Kulturës.
Por mjegulla financiare duket se nuk është e vetmja arsye, që e ka mbajtur me vite të mbyllur Muzeun Arkeologjik të Durrësit. E kam dhënë tashmë alarmin mbi anarkinë e administrimit dhe të vlerësimit të objekteve arkeologjike së bashku me dëmtimin dhe shpërdorimin e tyre, që ka ndodhur brenda vetë hapësirës së muzeut, të paktën qysh prej vitit 2010, nga punonjësit shtetërorë përgjegjës për ato. Tepër domethënëse më duket mua, edhe gjuha arrogante, me të cilën Ministrja e Kulturës kërkon ta bindë kryeministrin, se “se me një fond tepër modest ka filluar restaurimi i të gjitha objekteve që nuk ishin prekur që nga vitet 1950, kur është bërë gërmimi i tyre, të cilat do të paraqiten për publikun në kushtet më optimale të ekspozimit. (Rama: Pas 20 vitesh rrënim, po del në dritë thesari arkeologjik i Durrësit, Balkanweb, 06/12/2014). Nuk dimë, se sa me saktësi është botuar nga mediet kjo deklaratë e ministres Kumbaro, por dikush që ajo mban afër, duhet t’ia shpjegojë asaj edhe një herë nga e para, se restaurimi i objekteve arkeologjike ka shumë -shumë pak shanse të kryhet me “fonde modeste”. Më tej ta këshillojë atë, se kur nuk ka pará të mjaftueshme, nuk duhet të kryhet as gërmim arkeologjik dhe as të nxirren enkas nga arkiva objekte arkeologjikë për restaurim (sepse në të dy rastet ka vetëm dëmtime). Gjithashtu t’a këshillojë, se restaurimi nuk është as aksion rutinë e llojit “larje lëveresh” që të mbarosh punë me pak para apo me mobilizim rrogëtarësh të ministrisë, por punë vetëm e restauratorit, është rezultat i një studimi kompleks (dokumentimi, ekzaminimi shumanësh dhe vlerësimi) – studim që kërkon më shumë fonde dhe kohë, se sa vet kryeja e operacionit të restaurimit, madje që kërkon një vendim me përgjegjësi të lartë shtetërore për sigurimin e jetëgjatësisë së objekteve (gjetjeve, artefakteve) arkeologjike, i cili të jetë i vlefshëm edhe pasi ministria që po bën dezhurnin e radhës, të ketë lënë kolltukun.
Në mes të euforisë së “sukseseve” që ministria e kulturës ka arritur në pak kohë dhe me “fonde modeste” me Muzeun e Arkeologjik të Durrësit, dëgjohet edhe një denoncim nga një drejtoreshë e të ashtuquajturës muzealizim, e cila i ka “shpjeguar kryeministrit, se gjendja e mëparshme e konservimit të objekteve (të muzeut të Durrësit-GjF) ishte shumë e rëndë, pasi ato kishin pësuar dëmtime të shumta edhe nga punimet e rikonstruksionit të kryera më parë” (Rehabilitohet Muzeu Arkeologjik i Durrësit, i harruar prej 20 vjetësh, gaz. Shqiptarja.com, 6 Dhjetor 2014). Kjo deklaratë e drejtoreshës nuk mund të kapërdihet lehtë, pasi teorikisht në mjediset e muzeut punojnë dhe marrin rroga specialistë (profesionistë) të zgjedhur të trashëgimisë muzeore, dhe sidomos qysh mbas 23 Qershorit 2013, kur vetë ministria ka deklaruar rilindjen me personel të përzgjedhur të strukturave që mbulon anembanë vendit. Të tillë punonjës e kanë si detyrën e parë themelore, ruajtjen dhe respektin ndaj objekteve dokumentare historikë. Por drejtoresha denoncon një tjetër lloj malli punonjësish që punësohen në Muzeun e Durrësit, nga ata që i “lënë objektet arkeologjike të pësojnë dëmtime të shumta duke mos i mbrojtur nga punimet e rikonstruksionit që kryen në sallat e muzeut”. Ajo thotë, se kjo ka ndodhur nga punimet e rikonstruksionit të kryera më parë, domethënë lë të kuptohet, përpara se zonja Kumbaro të bëhej ministre dhe ajo vetë drejtoreshë. Domethënë del përfundimi, se në kohën e tyre, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Mjerisht kjo nuk është e vërtetë. Sot po sjell një shembull, pikërisht se më çfarë mungese përgjegjësie profesionale punohet aktualisht në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.
* * *
Më datën 4 nëntor 2013, punonjësit e Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik (ASHA) pranë Ministrisë së Kulturës kanë sjellë dhe dorëzuar në fondet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, një gjetje të rrallë arkeologjike – fragment i një dyshemeje të një punishteje për prodhimin e objekteve prej qelqi, e zbuluar në katin përdhes të një banese të kohës romake (njësia 21), në hapësirën e “ish-Lulishtes 1 Maji”, ku dymijë vjet më parë jetonin dhe punonin zejtarët e Durrësit. Fragmenti i dyshemesë me formë kënddrejtë në përmasa 1,64 x 1,08 m është i ndërtuar me pllaka tulle (31 x 45 x 6 cm) dhe është mbuluar tërësisht me shtresë qelqi në ngjyrë jeshile të errët, mbi të cilën ruhen ende mbi atë, format e objekteve të prodhuara me qelq të shkrirë. Zbulimi u krye nga Shoqëria “AKeR” shpk në vitin 2010 dhe është bërë ndërkohë i mirënjohur publikisht nga disa botime. Me vendimin e Këshilli Kombëtar të Arkeologjisë (KKA) nr 2/121prot datë 19.07.2010 u vendos shkulja (translocimi) i dyshemesë së përpunimit të qelqit nga vendi i zbulimit (in situ), për ta ruajtur përjetësisht në ambientin muzeor. Translokimi dhe restaurimi u realizuan po ashtu nga shoqëria e specializuar “AKeR” shpk.
Puna filloi me prerjen vertikale të katër anëve të dyshemesë së qelqit duke i përgatitur brinjët kënddrejta të saj (Foto 1). Thellësia e prerjes anësore shkoi deri në 11cm, ku u përfshi shtresa e dyshemesë prej 6 cm të tullës, plus edhe shtresa prej 4-5 cm poshtë tullave, e cila përbëhej nga argjilë e kuqe e djegur nga nxehtësia e qelqit gjatë punës mbi dysheme. Të dyja këto shtresa nën efektin e nxehtësisë së vazhdueshme kishin krijuar një unitet organik, por edhe një kontekst reciprok dokumentar. Pra, ato duhej të restauroheshin si një trup i vetëm.
Pas prerjes vertikale të katër anëve të dyshemesë, u krye edhe prerja me sharrë në mënyrë horizontale në tabanin e saj. Të katër brinjët e jashtme të dyshemesë u mbërthyen me një kasë L-metalike. Mbi kasë u salduan provizorisht 5 shufra hekuri 22 mm për paketim transporti (Foto 2). Midis syprinës së qelqtë dhe shufrave u derdh allçi mbi izolime ndërmjetëse. Më pas u bë me përkujdesje heqja e dheut nën dysheme nga të katër anët. Mbasi platforma u çlirua në taban, ajo u mbështet në katër bazamente në qoshet e saj dhe u ngrit në pozicion vertikal, mbajtur me pajanta dërrase (Foto 3). Në pjesën e tabanit u vendosën me saldim katër shufra hekuri petashuqe, të lidhura me një pjastër metalike gjatësore. Telajo u fiksua anembanë me kapëse të jashtme dhe boshllëqet u mbushën me materiale reversibël. Më tej platforma u ngrit në lartësi dhe u transportua (Foto 4, 5). Fillimisht u vendos në një tendë me çati të përgatitur pranë fushës së gërmimit, për ndihmën e shpejtë dhe për makro-konservimin. Në mbarim të gërmimit, telajo u transportua në studion e restaurimit të Shoqërisë “AKeR” shpk, të ngritur pranë Amfiteatrit të Durrësit, ku iu nënshtrua një procesi të plotë disamujor studimi dhe restaurimi shkencor (Foto 6). Më tej vepra e restauruar qëndroi në mikroklimën e studios deri në ditën që ASHA gjeti mundësinë për ta dorëzuar në Muzeun Arkeologjik të Durrësit më 4 nëntor 2013.
Mbetjet e dyshemesë të punishtes së qelqtarisë, i përkasin një veprimtarie zejtare familjare durrsake me fillimet në çerekun e fundit të shek. 1 para Kr. Dëshmitë treguan se aty janë shkrirë kallëpe lingotash dhe janë prodhuar enë dekorative shtëpiake dhe shishe të parfumerisë (Foto 7, 8). Dyshemeja për prodhimin e objekteve shtëpiake të qelqit përbën një dokument të rrallë arkeologjik, jo vetëm për qytetin antik të Durrësit dhe atyre të Shqipërisë, por me sa jemi në dijeni, një dëshmi e tillë është takuar fare rrallë në botën antike mesdhetare. Mbi të gjitha, ajo është një dëshmi cilësore e spektrit të pasur artizanal në shumëllojshmërinë e prodhimit autokton të qytetarëve ilirë, që në shek. 1 para Kr. mbushnin lagjet e zejtarëve të Durrësit, të sunduar asokohe nga rregulli i ligjit dhe i administratës romake.
* * *
Mbetjet e dyshemesë të punishtes së qelqarisë antike durrsake u translokuan dhe u restauruan jo vetëm për t’u ruajtur si dokument arkeologjik me vlera ndërkombëtare historike të periudhës, por mbi një gjysëm ton materiale u shkëputën nga toka, u futën në një telajo, e më tej u restauruan, që vepra të zinte vend në ambientet muzeale, për t’u shijuar nga vizitori. Zbulimi dhe restaurimi i asaj vepre ishte tërësisht një investim privat, nga Investitori “XHEMF” Durrës dhe nga shoqëria private arkeologjike dhe restauruese “AKeR” shpk Tiranë. Por çfarë ndodhi? Para pak kohësh njoftohem nga qytetarë të interesuar për vlerat kombëtare dhe dashamirës të punës sonë, se telajo në fjalë, pasi e kishin nxjerrë nga ambienti i brendshëm i Muzeut Arkeologjik të Durrësit, ku ishte në ruajtje, ajo dergjej tashmë e hedhur dhe e thyer në oborrin e saj (!?). Shkova me një frymë në muze, të shihja vetë, pasi nuk i besova veshëve. Por ishte e vërtetë, një e Vërtetë e pabesueshme! Telajo ndodhej jashtë muzeut, në oborrin jugor të tij, e rrëzuar me fytyrë mbi beton me një vandalizëm që nuk ka shembull(Foto 9, 10). E gjithë vepra e restauruar kishte dalë tërësisht nga kasa metalike e telajos dhe nga shufrat mbajtëse, dyshemeja me tulla ishte thyer në copa të mëdha, çdo tullë e dyshemesë ishte shkoqur dhe ndarë nga njëra-tjetra dhe varur jashtë telajos, suprina e xhamtë ishte thërmuar anembanë. Një vepër e shkatërruar në mënyrë të pabesueshme dhe e braktisur, për t’u parë nga të gjithë në atë gjendje të shkatërruar! Ajo qëndron e tillë edhe sot dhe mund të shihet nga kushdo.
U bënë disa javë dhe askush nga institucionet përgje-gjëse shtetërore nuk pipëtin, si ka ndodhur, kush e ka shkaktuar dhe së fundi, përse është masakruar kjo vepër e rrallë arkeologjike me vlerë autoktone dokumentare, e vjelur nga nëntoka e Durrësit, që personifikon qytetërimin ilir dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare përmes qytetërimin mbarëbotëror romak. Dëmtimi ka ndodhur brenda në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, por nuk e ndjen veten përgjegjës as Ministria e Kulturës, as Instituti i Monumenteve të Kulturës që është angazhuar prej katër vjetësh në rimëkëmbjen e Muzeut të Durrësit, as segmentet e Institutit të Arkeologjisë që punojnë për Durrësin dhe as dikush nga DRKK-ja e Durrësit. Mëkatet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit po shtohen dhe mëkatarët gjithnjë e më shumë nuk po gjinden, as sot që kemi bërë reforma për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, as tani që punët i kanë marrë në dorë ata që premtuan se nuk do të lejonin të dëmtohej pasuria arkeologjike e Shqipërisë dhe se do të ndëshkonin të gjithë ata, që dje e dhunuan këtë trashëgimi.
Si qytetar kam të drejtën të pyes dhe të kërkoj ndihmën e shtetit dhe të qeverisë së Shqipërisë, se kush e vrau këtë dëshmi unikale të historisë sonë dhe kush është përgjegjësi i këtij akti? Kam edhe një të drejtë më shumë, sepse ajo është zbuluar, dokumentuar, financuar, restauruar dhe translokuar nga subjekte e qytetarë privatë të këtij vendi dhe vepra është varrosur nga nëpunësit shtetërorë. Dëshmia unikale arkeologjike në rang kombëtar dhe konkurruese në rang botëror nga Lagjja e Zejtarëve durrsakë të kohës romake, është goditur për vdekje, pa arsye qytetarie, nga vetë punonjësit e Ministrisë së Kulturës – me një akt kriminal shtetëror. Kësaj radhe akti kriminal nuk është kryer në kohën e ministrave të mëparshëm, por në kohën e ministres të ulur në kolltuk, të zonjës Kumbaro. Ka një ironi të hidhur, kur akte të tilla ndodhin në kohën që Ministria e Kulturës dhe dy drejtueset e saj kakarisin, se po “restaurojnë” pikërisht objektet arkeologjike që ndodhen në Muzeun e Durrësit, për ta kthyer atë në “atraksion turistik (po aty).
Por ndërkohë, telajon e zejtarit durrsak të qelqit të shekullit të parë para Krishtit që ishte e restauruar plotësisht nga profesionistë, mirë që nuk e kanë zgjedhur për ta paraqitur si atraksion turistik, por përse e shkatërruan?
Në vend që të ishte një atraksion turistik e varur në stendat e muzeut, ajo është kthyer tashmë në atraksion turistik për krimin e institucione dhe nëpunësve shtetërore ndaj objekteve dokumentare të trashëgimisë arkeologjike.
*Arkeolog


(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)



Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: