Trupat e të paktën shtatë personave janë gjetur në zona të ndryshme në qytetin port jugor të Meksikës, Acapulco, i cili është goditur rëndë prej vitesh nga plaga e krimit të organizuar, thanë autoritetet.
Tre trupa u gjetën të shtunën mbrëma, në bagazhin e një taksie dhe katër të tjerët dje të dielën në rrethe të ndryshme, sipas njoftimeve të policisë, ndërsa dje janë hedhur edhe mjete shpërthyese kundër një komisariati policie.
“Duke marrë parasysh ngjarjet e orëve të fundit”, u vendos që të “forcohet zhvillimi ynë operacional në sektorë të ndryshëm dhe zona prioritare” në Acapulco, në bashkëpunim me forcat e armatosura dhe Gardën Kombëtare, tha sekretariati (ministria s.s.). i Sigurisë Publike të shtetit të Guerreros (jug) në një deklaratë për shtyp që ai bëri publike.
Policia federale “intensifikoi veprimet e saj operative dhe kontrollin me video në transportin publik, tregje dhe rrethe me kriminalitet të lartë,” shtoi ai.
Më vonë i njëjti burim raportoi se persona të panjohur hodhën tre mjete shpërthyese në një stacion policie në Acapulco – dy u çaktivizuan. Nuk u specifikua se çfarë lloj mekanizmash ishin të përfshirë.
Qyteti i famshëm turistik në bregdetin meksikan në Oqeanin Paqësor, i cili pësoi dëme të mëdha në tetor nga një uragan i fuqishëm, është ndër zonat më të goditura nga aktiviteti kriminal i karteleve të drogës. Në vitin 2023, në të u kryen rreth 1,890 vrasje.
Në fund të qershorit, trupat e pesë burrave, disa me duar të lidhura, u gjetën në një rrugë që të çon në Acapulco.
Më 17 qershor, Salvador Villalba, i zgjedhur kryetar i qytetit të Copala në zgjedhjet e 2 qershorit, u vra në një autostradë.
Dhuna që i atribuohet bandave të krimit të organizuar në Meksikë ka marrë jetën e rreth 450,000 njerëzve, me më shumë se 100,000 të zhdukur, që nga fundi i vitit 2006, kur presidenti i atëhershëm Felipe Calderon (2006-2012) shpalli të ashtuquajturën “luftë” kundër drogës dhe vendosjen e forcave të armatosura brenda vendit për të goditur kartelet e drogës.