Kryeministrja italiane Georgia Meloni ka njoftuar se në muajin tetor, në Shqipëri do të mbërrijnë refugjatë në kampin e Gjadrit.

Në lidhje me këtë njoftim të kryeministres italiane, ka reaguar anëtari i Kryesisë së PD-së Grigels Muçollari.

Ai shprehet se Rama bën gjithçka për të mbajtur pushtetin personal.

Muçollari deklaron se Shqipëria 2030 nuk është ajo e integrimit në BE, por është mbetje e refugjatë.

Reagimi i plotë

“Shqipëria 2030-Mbetje dhe refugjatë

Megjithëse prej vitesh Edi Rama bën protagonistin në ambjente të rëndësishme ndërkombëtare, dhe kujdeset të ushqejë popullin këtu me copëza nga batutat apo qendrimet e tij të forta kritike faqe kancelarëve të fuqishëm, për të demonstruar përmasat si lider global, edhe pse këto kuturisje ai i shet si arritjet më të mëdha në vendit në diplomaci, sërish prej 3 mandatesh tashmë ai nuk ja ka dalë të sjellë një investitor të huaj, të madh, serioz, që të ndikojë për mirë në ekonominë tonë.

Me Edi Ramën, Shqipëria po shihet si vend joshës për të sjellë emigrantët e paligjshën, kryesisht nga Afrika.

Kompani të mëdha italiane zgjerohen, krijojnë vende të reja pune e paga të larta në Serbi apo në Maqedoni. Kurse shqiptarët duhet t’i gëzohen kimisë që ndodh mes Edi Ramës dhe Melonit, dhe kampit të madh për pritjen e refugjatëve që është drejt fundit në Gjadër të Lezhës.

Edhe kompanitë e mëdha gjermane krijojnë vende të reja pune e çojnë milionë euro investime në Rajon.

Vetëm tek ne, që kemi liderin global, që i bën udhëheqësit e botës të shkrihen gazit, nuk mbërrin një dhuratë e tillë.

Së fundmi, kryeministri britanik, Stamer qenka shprehur se po e sheh me interes Shqipërinë për të gjetur dhe ai zgjidhjen për krizën e emigrantëve të paligjshëm.

Ne e dimë mirë tanimë një gjë, që nëse Stamer e kërkon, Rama do të jetë gati ta pranojë menjëherë.

Simpatia dhe mbështetja që do t’i jepte kryeministri britanik, janë shumë të vyera për Edi Ramën që të mbajë e të ruajë karrigen e pushtetin. S’ka rëndësish fare se çfarë ndodh me vendin.

Fabrikat për bizneset e mëdha angleze mund të hapen a zgjerohen në Serbi, Maqeoninë e Veriut, në Mal të Zi a gjetkë në rajon. Tek ne, projektohen plane për të pritur të dëshpëruarit që largohen nga vendi i tyre kryesisht prej varfërisë apo krizave që ndodhin atje.

Eshtë naive të mendosh se do të jemi imun nga zbarkimi në vendin tonë i kaq shumë halleve e problemeve. Ato e kanë aftësinë të zmadhohen, të krijojnë kriza.

Pra kjo është ajo çka artisti me atlete që bën xhonglerin nëpër Paris, Romë, Bruksel e Berlin, i ka sjellë deri tani vendit.

Edhe e trumpetuara me të madhe, ardhja e SHELL, doli një dështim, pas largimit të kësaj kompanie.

Dhe si për ta bërë tablonë edhe më të trishtë, e më pak optimiste, dita-ditës po zbulohet se me këtë qeveri, Shqipëria është parë e shfrytëzuar dhe si tokë e mirë për mbetjet, të rrezikshme dhe të parrezikshme.

Vetëm në një inspektim në gusht të këtij viti pasi plasi skandali i trafikut drejt Tajlandës, mjedisorët zbuluan se ishin 20 mijë tonë lëndë toksike që ishte eksportuar nga porti i Durrësit.

Ndërkohë që e gjitha kjo ndodh, lideri global sërish mburret me arritjet e mëdha në arenën ndërkombëtare, e sulmon e gjen fajtorë kudo për dështimet e tij të njëpasnjëshme.

Na flet për Shqipërinë 2030 sikur po ndërtohet nga e para në ndonjë atelie, dhe që nuk është kjo që ne po shohim e jetojmë çdo ditë. Mbetje dhe refugjatë”, shkruan Muçollari.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb