Ismael Dunga erdhi te Tirana për të zëvendësuar Majkëll Ngonë. Ama hierarkitë në skuadër edhe pse luajti si titullar javën e parë nuk ndryshuan. Dunga shënoi gol në javën e parë, por nuk bindi dhe Ngo është i padiskutueshëm në formacion. Pas stërvitjes së djeshme, sulmuesi u duk shumë i mërzitur.

Ndoshta nuk e priste që të mos ishte në formacion, për vetë faktin se Mema e kishte fshehur 11- shen dhe vetëm dje e provoi në fushën e lojës. Duke parë që nuk do të luante, në vend të bënte shkrydhjen me ekipin, Dunga u veçua nga skuadra dhe për më shumë se 15 minuta goditi portën bosh me rreth 50 goditje.

Gjuajtjet e tij ishin të dëshpëruara, pasi edhe me portën pa portier shumë prej tyre përfundonin jashtë. Revoltë e brendshme apo punë më shumë individuale, kjo mbetet për t’u parë. Sulmuesi nuk e dha veten, por dukshëm ishte i mërzitur.

Tirana

FORMACIONI – Ardian Mema ndryshon formacionin para Skënderbeut. Dëmtimet, mungesat detyrojnë që bardheblutë të kenë një formacion ndryshe nga sfida e fundit që u luajt në Shkodër.

fORMACIONI I MUNDSHEM

E veçanta e formacionit të kësaj jave është fakti që dominohet nga të ardhurit. Vetëm pesë lojtarë janë nga formacioni i vjetshëm dhe ata janë Imami, Doka, Kobina, Hasani dhe Ngo. Jashtë sërish nga formacioni kapiteni Erando Karabeci dhe Dorian Kërçiku dy nga lojtarët e vjetër të skuadrës. Për një fanellë janë duke luftuar edhe Dunga e Vangjeli, dy titullarë potencialë në ekip.

PORTA – Ndryshimi më i madh është reflektuar në portë. Nuk do të luajë Ilion Lika, por nga ana tjetër titullar do të jetë Edvan Bakaj. Gjithsesi, në repartin fundor të skuadrës ka halle të mëdha. Me mosdisponibilitetin e Ilion Likës dhe dëmtimit të Pano Qirkos që ka një tërheqje, skuadra është detyruar të marrë portierin e katërt, titullarin e 19-vjeçarëve.

MBROJTJA – U mendua që nga minuta e parë mund të luante Kristi Vangjeli, por deri dje korçari ka qenë zëvendësues. Vetëm ndonjë lëvizje e sekondës së fundit mund të ndërrojë Dokën dhe Vangjelin në formacion. Në qendër të mbrojtjes është Eni Imami, së bashku me Tefik Osmanin, ndërsa majtas është kthyer Erjon Hoxhallari.

MESFUSHA – Ardian Mema ka vendosur që nga minuta e parë në mesfushë të luajë Uinful Kobina. Mesfushori nuk do të jetë në qendër si zakonisht, por do të luajë djathtas në vend të Grent Halilit, i cili nuk është stërvitur çdo ditë këtë javë. Batha e Çelhaka nuk ndryshojnë vend dhe janë titullarë, ashtu si Kale që është fiksuar majtas.

tirana

SULMI – Idetë janë të qarta. Majkëll Ngo në krye të skuadrës së bashku me ndihmësin e tij, Edon Hasanin. Lojtarët janë ata që duhet të shënojnë sa më shumë këtë sezon, por kjo mbetet për t’u parë.

DËMTIMET – Veç Pano Qirkos së dëmtuar, nuk do të luajnë as Agustin Torasa që vazhdon riaftësimin dhe Andi Lila edhe ai me probleme. Pjesa tjetër e lojtarëve është e gatshme për trajnerin Ardian Mema, veç dyshes që është e justifikuar Ernest Muçi dhe Ilion Lika.

Kujtojmë se bardheblutë aktualisht janë në krye të klasifikimit me shtatë pikë dhe kanë mundur Luftëtarin dhe Vllazninë si dhe kanë barazuar me Teutën. Kundër Skënderbeut kërkohet fitorja, pasi në javën e pestë dhe të gjashtë, Tirana përballet me Kukësin dhe Partizanin, dy takimet që do të tregojnë fuqinë e vërtetë të 24 herë kampionëve këtë kampionat./Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: