Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, foli pas humbjes me Flamurtarin, ku deklaroi se këtu ndeshjet vendosen edhe në tavolina.


Tirana mund të meritonte diçka më shumë, por rezultati ju penalizon.


Lojërat nuk na mungojnë, por kemi marrë rezultate të këqija. Ekipi që është profesionist, duhet të shënojë në një moment. Në Shqipëri fitohet edhe me episode, por ne na duhen fitoret, jo të luajmë mirë.


4 penallti të humbura. Koka e ngarkuar, apo këmbët nuk punojnë?

Ndoshta është ana psikologjike. Para Laçit, provova shumë lojtarë për penallti, dhe konstatova se nuk kemi goditës të mirë. Sot caktova dikë tjetër, por sërish më rrezikoi keq. E caktova para ndeshjes dikë tjetër, por ishte këmbëngulje e Imamit për të goditur, dhe u la ashtu si u la.

Pse është e ngarkuar Tirana psikologjikisht?

Kriza e rezultateve, kjo na ka bërë këtë ngërç. Ekipi luajti më mirë se Vlora, mendoj, por ishte loja me episode, që kush mund të shënonte, fitonte ndeshjen. Edhe ne patëm mundësi për të fituar me rastet që patëm. Edhe ndeshja që u luajt në Fushë-Krujë, ndikoi negativisht. Ka ardhur koha që të bëhen ndeshjet në një orar. Ishin të pezmatuar para se të futeshin në fushë. Ndoshta kjo ka krijuar një lloj stresi. U mundova ta qetësoj ekipin. I thashë që duhet të bëjmë llogaritë tona, dhe jo llogaritë e të tjerëve. Ndeshjet vendosen edhe nga episodet, vendosen edhe nëpër tavolina. Kjo duhet thënë, sepse po rrini disi urtë, por duhet thënë. Le të luajnë futboll provincat dhe të kënaqen edhe provincialët. Ne jemi ekip që i pranojmë të tre rezultatet, por këtu është provincë.

A e dinë këta lojtarë se në cilin klub ndodhen, apo ju duhet t’i shkundni ata dhe t’iu tregoni rregullat?

Kjo i takon një periudhe tjetër. Nuk mund të bësh asnjë gjë. Unë kam ardhur në mes të kampionatit. Gjatë lojës, një lojtar që është i bindur dhe kërkon me domosdoshmëri që ta godasim penalltinë, edhe ty si trajner të krijohet një besim. Por nuk ka të bëjë kjo. Ka të bëjë me mentalitetin fitues. Nuk është e mirë të justifikohemi kjo është në dëmin tonë. Duhet ta kapërcejmë këtë situatë.