Ardian Mema kërkon të mbajë sa më të ulët eurforinë e mundshme që të mund të ketë mbërthyer ekipin e tij pas suksesit ndaj Kukësit. Por pavarësisht se deklaron që ndaj Luftëtarit është një sfidë që ka të treja rezultatet brenda, Mema me të tijtë do të synojnë vetëm fitoren, ndërsa u bën thirrje tifozëve që të vijnë sa më të shumtë në mbështetje të ekipit.

“Kemi bërë mbledhej të shkurtra me lojtarët sepse nuk doja të kishte eufori pas takimit me Kukësin. E kam konsideruar derbi pasi duhet të fitojmë dhe të shkëputemi nga ajo zonë që na ka munduar. E kam parë takimin e Luftëtarit me Flamurtarit dhe mendoj se është ekip i fortë me ekuiliber. Ndeshja e nesërme ka problematikat e veta, mendoj se do të jetë e fortë. Do të fitojë ekipi që ësht ëmë i përqëndruar dhe që këmngul në sulm”

Fitorja – “Kam dashur të mos i vë lojtarët në presion. Nëse vazhdojmë kështu do të kemi rezultate pozitive, pa shumë presion. Luftëtari është skuadër që ngjeshet mbrapa. Nuk të lë të luash me topin. Ekipi ynë ka treguar se luan mirë lart dhe krijon mundësi. Do të flas edhe me lojtarët për mënyrën se si do të interpretohet loja”

Rëndësia e ndeshjes – “Një takim ka 3 rezultate. Jemi pranë Luftëtarit por nuk është përcaktuese. Është ndeshje rradhe që duhet ta fitojmë, por jo duke u vënë në presion. Duke punuar mirë mund të zgjihdet. Ky takim mund të menaxhohet. Kemi ndeshje të tjera shumë të forta”

Ahmataj – “E kam parë intervistën e Julit, ku thotë që jemi ekip i fortë. Kështu them dhe unë për ata. Një trajnerë duhet ta shikojë kundërshtarin me të mirat dhe të këqijat. Edhe Juli, për të cilin kam respekt, do të jetë një nga trajnerët që do të ketë karrierë të pasur”

Halili – “Edhe unë kam thënë se fitorja me Kukësin ishte hap i vogël, por që duhej, pasi ishte ekipi i vendit të dytë. Këto ndeshje e ndihmojnë skuadrën shumë, pasi ka përjetuar stres. I jep moral për të parë më sipër”

Tifozët – “Tifozët e Tiranës janë ata që duan rezultat sepse nuk mund ta shohin duke u përpëlitur në fund. Ka qenë që kur kam luajtur unë. E duan në vendet e para dhe mezi e presin. Një nga forcat që ka ky klub është tifozeria. U kam bërë thirrje të vijnë dhe ta përkrahin ekipi, sidomos për momentin që kemi kaluar. Ata i japin adrenalinë që nuk përshkruhet”

Shtyrja – “Kur i fiton i do ndeshjet shpejt. Janë gjëra që ndodhin, është njësoj për të dy ekipet. Jemi gati “

Doka – “Me Kukësin vura re që po na sulmon nga e djathta. Bëra një ndryshim në atë krah, doli efikase sepse shënoi golin. Kukësi në atë drejtim u bllokua dhe filluam edhe të sulmonim. Mora vendimin e duhur, por ka edhe gabime. Na rezultoi pozitive dhe kjo të jep shenjë për vazhdimësi. Lojtarët mund t’i lëvizësh. E kemi bërë edhe me Imamin, është me rëndësi që gjatë lojës të marrësh vendimet e duhura. Kam bërë një gabim në një ndeshje që sot nuk e them dot”

Ndryshim – “Duhet koha e nevojshme që ekipi të përvetësojë idetë që ke në kokë. Kjo periudhë ka përmirësuar anën psikologjike. Ka pasur edhe një seleksionim i lojtarëve. Ka pasur lojtarë që ishin rezerva, edhe mua më duhet kohë të kuptoj kush janë të gatshëm për të menaxhuar ndeshjet. Ka edhe raste ku nuk shfaqen kualitetet. Rezultatet kanë kthyer edhe anën psikologjike. Ka ikur ai stresi kur kundërshtari na kthente brenda një pjese loje. Do na bëjë mirë nëse vazhdojmë të fitojmë. Mund të rritemi ende”

Të rinjtë – “Trajnerët kanë preferencat e tyre. Nuk ka pasur ndonjë moment për t’i futur dhe jam kushtëzuar në vendimmarrje. Tirana ka elementë të rinj dhe me shumë perspektivë. Mendoj se do jenë pjesë e Tiranës në të ardhmen dhe mund të jenë edhe nga ata që mund të bëjnë diferencën në kampionat. Në një moment tjetër, kur të kem luksin për të futur të rinj, do t’i aktivizoj” u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: