Bashkia e Tiranës ka vendosur që menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sheshit “Skënderbej” ta bëjë sipas një modeli që do të jetë produkt i një studimi fizibiliteti. Procedura e prokurimit që përfshin këtë studim fizibiliteti është hapur tashmë dhe integruar brenda asaj që bashkia e njeh si studimi dhe projektimi i nëntë objekteve të infrastrukturës rrugore në Tiranë për vitin 2018.

Në specifikimet standarde, Bashkia sqaron se po kërkon gjetjen e modelit dhe në këtë fazë nuk kuptohet nëse menaxhimin do ta bëjë vetë Bashkia e Tiranës apo do ta kalojë te privati por rëndom studimet e fizibilitetit kryhen tipikisht në rastin e dytë. Ato nxjerrin sesa ekonomik është një aktivitet dhe nëse fitimet e gjeneruara arrijnë të mbulojnë shpenzimet e përgjithshme, çka e bën një projekt më pas atraktiv për interes te palë të treta.

Bashkia e Tiranës nënvizon se sheshi “Skënderbej” do të jetë një qendër dinamike, e cila do të funksionojë në bazë të një kalendari aktivitetesh ku do të ketë pjesëmarrje të sektorit privat.

Bashkia për sheshin “Skënderbej”
“Sheshi ‘Skënderbej’ duhet të mendohet si një ambient dinamik ku mund të zhvillohen aktivitete të të gjitha llojeve dhe përmasave. Duhet sugjeruar se cila është mënyra më e mirë për të menaxhuar serinë e aktiviteteve që mendohet të ndodhin në shesh gjatë gjithë vitit.

Propozimi duhet të sugjerojë një strategji për ta mbajtur sheshin aktiv dhe ftues. Të hulumtohen potencialet e sheshit dhe se si mund të shfrytëzohen ato për ta bërë këtë ambient sa më publik dhe sa më afër qytetarëve.

Aktivizimi i këtyre objekteve dhe bashkërendimi i programacionit të objekteve përreth me programacionin e sheshit duhet të shihet në drejtim të gjallërimit të sheshit. Propozimi duhet të sugjerojë se si mund të menaxhohet një kalendar vjetor aktivitetesh në shesh. Kjo do të kërkojë edhe studimin dhe mbajtjen parasysh të zhvillimeve kulturore, artistike, politike, etj., dhe bashkërendimin e tyre për të shmangur mbivendosje të eventeve.

Të studiohet fizibiliteti i shfrytëzimit të sheshit për aktivitete, ku të evidentohen cilat mund të jenë përfitimet, dobitë dhe efektet e këtyre eventeve në qytet.

Të shqyrtohet aspekti financiar i këtyre organizimeve dhe të propozohen alternativa si rentabiliteti i ambienteve të ndryshme për evente, dhe se si mundet ky cikël financiar t’i rikthehet përsëri sheshit, për të siguruar një mirëmbajtje sa më të mirë të sheshit” – thuhet në dokument.

Bashkia nënvizon se në studim do të merren parasysh edhe të gjithë nevojat që ka sheshi lidhur me menaxhimin e gjelbërimit, pastrimin e tij si dhe aspekte të tjera si shatërvanët apo parametrat e ujit dhe ndriçimit./monitor/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb