Nga: VJOLLCA KONGJONI


TIRANE– Në takimin me ministrin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj, “Për menaxhimin e sezonalitetit të turizmit” operatorët turistikë i kanë kërkuar Qeverisë më shumë vëmendje dhe mbështetje për zhvillimin e sektorit. Për Ahmetajn problemet dhe sfidat e turizmit për këtë vit janë të mëdha, por sipas tij me zbatimin e ligjit të ri ky sektor do të shkojë drejt formalizimit dhe rritjes së investimeve. Ndërkohë po negociohet me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës për hapjen e tre aeroporteve të reja në Kukës, Vlorë dhe Sarandë.


Sipas ministrit Ahmetaj, këtë vit sezoni ka nisur më herët duke sjellë edhe rritje të të ardhurave.


“Sezoni turistik këtë vit ka filluar më herët në mars në Gjirokastër dhe të ardhurat janë rritur shumëfish. sfida jonë është të jemi modest dhe mikpritës. Turizmi solli në 2013, 1.2 miliardë dollarë, vjet solli 1.3 dhe ne duam që këtë vit të jenë më të larta. jemi duke negociuar me shumë seriozitet heqjen e ekskluzivitetit të TIA. jemi duke u fokusuar në tre aeroporte të reja Vlorës, Sarandës dhe Kukësit”, tha ministri Ahmetaj.

Gjatë këtij takimi bizneset i kanë shprehur ministrit problematikat e tyre në këtë sektor. Sipas presidentit të “Biznes Albania”, Luan Bregasi, turizmi kërkon një vëmendje më të madhe dhe seriozitet nga ana e qeverisë, për të zgjidhur kryesisht problemet e legjislacionit mbi pronësinë shtetërore dhe taksës mbi ndërtesat.

“Ne jemi partner të qeverisë por nuk i bëjmë fresk qeverisë. Biznesi turistik kërkon një vëmendje më të madhe nga ana e qeverisë. Për ta bërë më të besueshme duhet të ketë një legjislacion më të fortë përsa i përket pronësisë. Ka nevojë për një seriozitet më të madh. Shteti duhet të evidentojë të gjitha pronat shtetërore si një mundësi për të thithur investimet në fushën e turizmit. Ka edhe një tjetër problem, ekziston një taksë mbi ndërtesat. Ajo është absurde. Mund të ketë një taksë të tillë kur ajo nuk është në funksion biznesi por kur ajo është biznes nuk mund të paguash një taksë të tillë pasi u ka krijuar një vështirësi të madhe operatorëve turistikë, hotelerive. Kjo taksë ka qenë një lapsus i qeverisë”, tha Bregasi.

“Prej dy muajsh ministria po bën definimin e pronësisë publike në bregdet për vënien në funksion të investitorëve”, tha ministri Ahmetaj.

Krahas ligjit të ri të turizmit dhe atij për investimet strategjike, shumë shpejt qeveria do të prezantojë edhe paketën me masat lehtësuese në sistemin e taksave për këtë sektor. Ndërkohë që po punohet me ministrinë e Jashtme për heqjen e vizave me 12 vende të tjera si Rusia, vendet e Lindjes së Mesme apo Kina.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb