Papa Françesku u përball me një krizë shëndetësore kërcënuese për jetën gjatë shtrimit të tij të fundit në spital, kohë në të cilën mjekët konsideruan ndërprerjen e trajtimit për ta lejuar atë të ndërronte jetë paqësisht, sipas Dr. Sergio Alfieri, kreu i ekipit mjekësor të Papës.

Më 28 shkurt, kreu 88-vjeçar i Kishës Katolike përjetoi vështirësi të rënda në frymëmarrje pas një bronkospazme, duke çuar në një “rrezik real që ai mund të mos ia dilte”, tha Dr. Alfieri për Corriere della Sera në një intervistë të botuar të martën.

Pavarësisht rreziqeve të dëmtimit të mundshëm të organeve, ekipi mjekësor vendosi të ndiqte trajtim agresiv. “Duhet të zgjidhnim nëse do të ndalonim atje dhe do ta linim të shkonte, ose të shkonim përpara dhe ta shtynim atë me të gjitha ilaçet dhe terapitë e mundshme,” shpjegoi Alfieri, një mjek në spitalin Gemelli të Romës.

Vendimi për të vazhduar trajtimin u ndikua shumë nga infermieri personal i Papa Françeskut, Massimiliano Strappetti, i cili i kërkoi ekipit të “provojë gjithçka dhe të mos dorëzohen”.

Papa Françesku u shtrua në spital më 14 shkurt me bronkit që u shndërrua në pneumoni të dyfishtë. Gjendja e tij ishte veçanërisht shqetësuese për shkak të një historie me probleme të mushkërive, duke përfshirë heqjen e një pjese të njërës mushkëri në rininë e tij.

Gjatë shtrimit të tij 38-ditor në spital, Papa Françesku pësoi kriza të shumta respiratore dhe kërkoi ndërhyrje intensive mjekësore. Më 23 mars ai doli nga spitali dhe bëri daljen e tij të parë publike që prej 14 shkurtit, duke përshëndetur dashamirësit nga ballkoni i spitalit. Që atëherë ai është kthyer në Vatikan për të vazhduar shërimin e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb