Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme deklaron se ka ndërprerë mandatin si Konsull Nderi të Shqipërisë në Nigero për shtetasin indian Nitin Sandesara, i cili është në kërkim për mashtrim në Indi.

News24 zbardhi sot letërkëmbimet mes Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Ministrisë së Jashtme për dhënien e pëlqimit që njëri nga dy vëllezërit indianë në kërkim për mashtrim, Nitin Sandesara të bëhej konsull nderi i Shqipërisë në Nigeri.

Sipas MEPJ Procedura e emërimit të z.Nitin Sandesara si Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë në Nigeri ka përfunduar në janar 2019. Në zbatimin e procedurës së emërimit janë marrë në konsideratë kriteret dhe kushtet e përcaktuara në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore.

Dhënia e nënshtetësisë shqiptare dhe pajisja me pasaportë shqiptare e z. Sandesara nuk është procedurë, e cila ka kaluar nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, apo është në kompetencat e këtij institucioni.

Për më shumë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, sqaron se, ndonëse ka të drejtën e pajisjes me pasaporta diplomatike dhe shërbimi, sipas VKM-së 335, dt. 2.9.1997, z. Sandesara nuk është pajisur, as me pasaportë diplomatike, as me pasaportë shërbimi.

“Rasti i artikuluar së fundmi i z. Sandesara me nënshtetësi shqiptare, mund të cënojë imazhin dhe reputacionin e Institucionit të Konsullit të Nderit, por edhe atë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe shtetit shqiptar në përgjithësi, pavarësisht faktit se veprimet e ndërmarra prej z. Sandesara janë në emrin e tij personal. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, informon se, ka të gjitha të drejtat ligjore për ndërprerjen e mandatit të Konsullit të Nderit. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndërprerë mandatin si Konsull Nderi të Republikës së Shqipërisë në Nigeri për z.Nitin Sandesara me efekt të menjëhershëm”, deklaon MEPJ.

Sipas mediave indiane, vëllezërit Nitin dhe Chetankumar Sandesara kanë marrë deri në 1 miliard dollarë Amerikane kredi nga bankat shtetërore, duke i zhdukur përmes një rrejti prej 300 kompanish offshore, të krijuara nga ata vetë. Për këtë skandal një gjykatë në Indi ka lëshuar urdhërarreste për ta. Por ndërsa ishin shpallur në kërkim në Indi, shtetasit indianë jetonin të qetë dhe madje kishin investuar në Shqipëri. Në Shkurt të 2018 dy shtetas indian morën nënështetësinë shqiptare.

Pak ditë më parë, policia prangosi shtetasin indian Hitesh Patel, i cili rezulton se është kunati i vëllezërve Sandesara, i përfshirë gjithashtu në skandalin e mashtrimit financiar në Indi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb