Zbulohet preferenca e dytë e Partizanit për merkaton e verës. Pas tentativës për të marrë sulmuesin Ali Soue, që ka qenë te Skënderbeu sezonin e kaluar, klubi i kuq kërkon të rikthejë në skuadër edhe mesfushorin Ylber Ramadani. Në verën e vitit 2017, lojtari i lindur në Ferizaj u shit nga të kuqtë te klubi danez, Vejle, për shifrën e 150 mijë eurove.

Skuadra që militon aktualisht në Superligën daneze ka pasur si trajner italianin Adolfo Sormani, i cili zbuloi Ramadanin në ato pak muaj që drejtoi Partizanin në vitin 2016. Pas dy sezoneve dhe 57 ndeshjeve me fanellën e Vejles, mesfushori që është edhe pjesë e Kombëtares shqiptare pritet të ndryshojë destinacion.

“Panorama Sport” mëson se kontrata e Ramadanit me klubin danez përfundon në muajin korrik. Kësisoj, duke u njohur me situatën, drejtuesit e Partizanit janë hedhur në sulm për të bindur mesfushorin që të rikthehet me fanellën e kuqe, duke qenë fillimisht pjesë e saj në aventurën europiane.

Burime në klub i treguan dje gazetës se me këtë “operacion” po merret enkas drejtori Olsi Rama. Nga ana tjetër, dëshira e lojtarit është që të vazhdojë karrierën në kampionate me nivel më të lartë se ai i Superiores. Megjithatë, burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se në  bisedimet që ka pasur me drejtuesit e kuq, nuk ua ka mbyllur derën.

Pra, nëse mesfushori nuk gjen një skuadër që përmbush ambiciet që ka, atëherë do të rikthehet te Partizani. 23-vjeçari ka luajtur katër ndeshje me fanellën kuqezi, duke u grumbulluar rregullisht nga ish-trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi.

ramadani

Afrimi i mundshëm i Ramadanit do të blindonte mesfushën e kuqe, pikërisht në një pozicion ku trajneri Gega gjatë këtij sezoni i ka besuar Ardit Hilës dhe pas dëmtimit të këtij të fundit, improvizoi Atandën.

Duke qenë se edhe synimet e Partizanit janë për të bërë historinë edhe në Kupat e Europës, kërkohet që skuadra të jetë e “blinduar” në çdo repart. Drejtuesit nuk duan të nxitohen për lojtarët që do të afrojnë, pasi parësore është që grupi aktual të ruhet në masën 80%.   //Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb