Në Ballsh tashmë janë më optimistë për situatën dhe renditjen, pasi kanë besim se ky kontingjent lojtarësh, ndoshta edhe me pak përforcime mund të bëjë edhe më mirë në pjesën e dytë të sezonit.
Trajneri Nevil Dede dhe ndihmësit e tij janë duke punuar me grupin, por sigurisht me ushtrime aerobike dhe lojëra, për të mbajtur sa më të karikuar kontingjentin, në mënyrë që kur të nisë faza grupi të jetë sa më kompakt. Për më tepër, ndryshe nga vera, tashmë Bylisi është me kontingjent gati 90 përqind, sepse do të ketë shumë pak për të mos thënë fare largime, pasi deri tani ka pasur divorc me 4-lojtarë, ashtu sikurse pritet ndonjë huazim, apo rikthim nga huazimi.
PROGRAMI- Ballshiotët e kanë në traditë që stërviten deri në ditët e fundit të vitit. Deri tani nuk ka asnjë plan për fazë jashtë vendit dhe mundësitë më të mëdha janë që stërvitja të bëhet në Ballsh, në kuadër të përgatitjeve për pjesën e dytë të sezonit 2024- 2025. Madje do të shihet mundësia edhe e zhvillimit të ndonjë ndeshje miqësore, me ndonjë nga ekipet e së Parës apo Superiores. Bylisi do të jetë i grumbulluar deri në 30 dhjetor, e më pas do të rikthehet në fazën dimërorë në 2 janar 2025.
MERKATO – Te ballshiotët e sigurtë është që do të përforcojnë skuadrën për fazën e dytë, teksa mund të ketë oferta për “xhevahirët” e mallakastriotëve. Madje janë disa lojtarë, vendas por edhe të huaj, duke qenë se kanë luajtur në pjesë e parë të këtij sezoni. Të gjithë janë nën kontrata afatgjata dhe do të jetë presidenti Besnik Kapllanaj, ai që do të vendosë, duke qenë se nga ana tjetër Bylisi synon me çdo kusht edhe mbijetesën në elitë. Gjithsesi, lëvizjet konkrete sidomos në hyrje, priten në Ballsh vetëm në ditët e para të janarit.