Klubi i Skënderbeut ka zyrtarizuar blerjen e dytë të merkatos së dimrit, që është mesfushori kosovar, Shqiprim Taipi. Ishte bërë e ditur nga trajneri Shehi se ky futbollist ishte afrimi i fundit i ekipit korçar, por tashmë gjithçka ka marrë formë zyrtare. Lajmi është bërë i ditur nga faqja e klubit, ku thuhet se Taipi ka nënshkruar për dy vite e gjysmë me Skënderbeun.
“Shqiprim Taipi prej sot është zyrtarisht futbollist i Skënderbeut. 21-vjeçari së bashku me presidentin Ardjan Takaj kanë firmosur sot kontratën, që e lidh për 2 vite e gjysëm me klubin bardhekuq. Shqiprim Taipi luan në qendër të mesfushës dhe pritet të shtojë konkurrencën në këtë repart. Ai do të jetë një forcë më shumë për trajnerin Orges Shehi për 2 fazat e mbetura”, – shkruhet në faqen e klubit korçar. (o.k/BalkanWeb)