GJERMANI– Serbisë do ti duhet të njohë pasaportën e Republikës së Kosovës për të vijuar negociatat me BE-në. Ky është një ndër 11 kushtet që Berlini i ka vënë Serbisë për hapjen e kapitujve me BE-në, bëjnë të ditur mediat serbe.
Këto kushte pothuajse janë të pamundur që të plotësohen nga ana e shtetit serb, sepse kanë të bëjnë edhe me statusin e Kosovës, ku faktikisht mbështetet pavarësia e saj.
Në mesin e këtyre 11 kushteve që Merkel ka vendosur ndaj Serbisë, ashtu siç shkruan “Novosti”, është edhe miratimi i Statutit të Bashkësive të komunave serbe në përputhje me ligjet e Kosovës; pjesëmarrja e Prishtinës në të gjitha forumet rajonale; njohja e pasaportave të Kosovës në kufi me Serbinë dhe ngritja e ndërtesave në pikë kalimet kufitare.
Prandaj, Beogradi ka nisur një ofensivë të gjerë diplomatike në shumë adresa botërore në mënyrë që të riformulohen sa më parë rekomandimet e Brukselit, në mënyrë që të hapet sa më shpejt kapitulli i parë.

Nëse Serbia do t’i përmbush të gjitha kushtet, gjë që vështirë se besohet, krerët evropianë do të duhet që në samitin e këtij muaji të vendosin që në fund të muajit janarit të vitit të ardhshëm të mbajnë një konferencë ndërqeveritare, ku edhe pritet të hapet kapitullit i 32-të (kontrolli financiar) dhe ai i 35-të (Kosova).

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb