SARAJEVE- Gjermania i kërkoi sot Bosnjes të ndërtojë një të ardhme të paqes në të cilën një ”gjenocid” si ai i kryer 20 vjet më parë nga forcat serbo-boshnjake kundër myslimanëve të Bosnjës në Srebrenicë nuk do të jetë më i mundur.


“Kam ardhur këtu në këtë moment kur kujtohet gjenocidi i Srebrenicës (…) Mendoj se ne të gjithë kemi nevojë për kurajo, veçanërisht zyrtarët politikë këtu, për të modeluar një të ardhme të tillë me qëllim që të tilla gjëra kaq të tmerrshme të mos ndodhin më kurrë”, deklaroi Merkel për shtypin në Sarajevë.


Të shtunën, Bosnja kujton 20-vjetorin e masakrës së Srebrenicës gjatë të cilës forcat serbo-boshnjake vranë në korrik të vitit 1995 rreth 8 000 burra dhe adoleshentë myslimanë, pak para fundit të konfliktit ndërkomunitar 1992-95, që shkaktoi rreth 100 000 të vdekur.


Duke përmendur miqësinë franko-gjermane ”pas 100 viteve luftë” mes dy kombeve, Merkel theksoi se Ballkani duhet të bëhet një rajon, banorët e të cilit nuk duhet të jetojnë me frikën e shpërthimit të konflikteve të reja.

Merkel dëgjoi dëshminë e një të mbijetuari të masakrës së Srebrenicës dhe u takua me disa gra, të afërmit e të cilave ishin vrarë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb