Tre liderët e vendeve të prekura nga tragjedia e rëndë ajrore, ku humbën jetën 150 persona kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, Presidenti francez Francois Hollande dhe Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy kanë premtuar se do të bëjnë gjithçka për zbardhjen e kësaj tragjedie dhe identifikimin e viktimave.

Presidenti Hollande tha se ky është një moment i dhimbshëm për Francën, ndërsa shprehu mbështetje për familjet e viktimave.

“Do të bëjmë gjithçka që të zbardhim shkaqet e këtij aksidenti. Ka pasur solidaritet deri tani. Ky është një moment mjaft i dhimbshëm për Francën, është një katastrofë. Falënderojmë Spanjën dhe Gjermaninë për mbështetjen që na kanë dhënë. Jemi në krahë të të gjitha familjeve të viktimave që humbën jetën në këtë aksident të rëndë ajror”, tha Hollande.

Të njëjtin vullnet për bashkëpunim për gjetjen e shkaqeve të rrëzimit të “Airbus A320”, ndau edhe kancelaria gjermane Merkel.

“Ne shkuam në vendngjarje. Dua të falënderoj zotin Hollande dhe presidentin spanjoll për bashkëpunimin që kemi pasur deri tani. I shpreh keqardhjen time të madhe familjeve të viktimave. Kjo është një ditë mjaft e vështirë për të gjitha vendet nga të cilat ishin viktimat”, tha ajo.

Ndërsa kryeministri spanjoll, Rajoy u shpreh se “Do të jap gjithçka që është e mundur për të bërë hetimin dhe për të identifikuar viktimat. Do të punojmë të gjithë sëbashku”.

Paraditen e djeshme një avion me 150 persona në bord ra në alpet franceze, ndërsa nuk pati asnjë të mbijetuar. Gjatë ditës së sotme, Merkel, Hollande dhe Rajoy vizituan vendin ku ra avioni.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: