Nga: DR. JORGJI KOTE*
Vizita e Kancelares gjermane Angela Merkel në Tiranë është dëshmia më domethënëse e lartësisë në të cilat janë sot marrëdhëniet dhe miqësia shqiptaro-gjermane. Aq më tepër kur bëhet fjalë për Kancelaren e Hekurt të shtetit më të madh dhe më të fuqishëm të Evropës; “lokomotivë” e ekonomisë evropiane dhe botërore, model dhe kampion i demokracisë, paqes dhe stabilitetit; ndër mbështetësit më të mëdhenj të proceseve integruese të Ballkanit dhe vendit tonë. Me të drejtë vizita e 8 korrikut konsiderohet si gur i madh kilometrik në itinerarin e përshkruar dhe të ardhshëm plot stacione sfiduese nga dy vendet tona aleate. Kjo vizitë merr proporcione epokale falë sfondit të përpjetave/tatëpjetave si dhe risive cilësore në bashkëpunimin shqiptaro-gjerman gjatë 3 etapave kohore, sa intriguese dhe sfiduese në gati 5 dekadat e fundit, prej nga e merr spunton dhe titulli i këtij shkrimi.
Rreth 45 vite më parë, Kancelari legjendar gjerman, Willy Brandt, pas ngritjes së Murit të Berlinit dhe tensionimit të situatës ndërkombëtare, shpalosi doktrinën e re strategjike “Ostpolitik” (ndryshim nëpërmjet afrimit). Kësisoj, Gjermania Perëndimore e asaj kohe zëvendësoi doktrinën e deriatëhershme konfrontuese ushtarake në marrëdhëniet me vendet ish-komuniste me afrimin, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin shumëplanësh. “Ostpolitik” ishte një paketë tërësore me programe dhe projekte të shumta bashkëpunimi, duke përfshirë dhe ndihmat ekonomike-financiare për të gjitha vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Brandt theu me guxim novator çdo tabu politike; ai shkoi me guxim në Berlinin Lindor, ku takoi Honekerin, si dhe në kryeqytetet e vendeve të tjera ish-komuniste. Gjatë vizitës në Varshavë, ai u përkul në gjunjë jashtë Protokollit zyrtar përpara monumentit të getove çifute; i ngriti kështu vetes dhe Gjermanisë një lapidar edhe më të madh, aty në mes të Varshavës komuniste. Shembja e Murit të Berlinit i dedikohet shumë edhe Ostpolitikës brandiane, e cila u nderua menjëherë me Nobelin e Paqes.
Vetëm regjimi shqiptar i asaj kohe e refuzoi këtë projekt dhe program paqeje me “Bunkerpolitikën” e tij. Jo vetëm nuk bëhej fjalë për një vizitë në Tiranën zyrtare të asaj kohe, por kjo e fundit nuk i kurseu bateritë e sulmeve as ndaj Willy Brandt, këtij kundërshtari emblematik të Hitlerit, “ikona” e social-demokracisë botërore moderne! Këtë refuzim, më vonë regjimi i atëhershëm shqiptar e shtriu edhe te Procesi historik i Helsinkit, një vijim i natyrshëm i “Ostpolitik”, duke privuar vendin nga gjithë ato shanse dhe përfitime të gjithanshme.
Kaluan vite dhe më tepër “nga halli se nga malli” regjimi i atëhershëm dha disa shenja mikroskopike hapjeje ndaj botës. Në këtë kuadër, më 1984-ën, sërish Gjermania Perëndimore tenton afrim me Shqipërinë. Këtë radhë protagonist është politikani tjetër karizmatik legjendar gjerman, Strausi i madh, Kryetari i Partisë CSU, simotra e CDU-së, dhe Kryeministër i Bavarisë, kësaj “Ure” historike me Ballkanin. Gjatë periudhës 1984–1986, ai bëri tri vizita historike “private” në vendin tonë, por ku gjithsesi pati disa takime zyrtare të larta. Ishte mundësia “e artë” për atë kohë të vështirë për të përfituar nga ofertat dashamirëse të njohura të Strausit, aleatit më të madh të Kohlit, që pak vite më vonë do të bëhej “babai” i ribashkimit gjerman. Pse jo, të bëheshim dhe model pozitiv, pavarësisht se ishim vend i vogël. Se ja, dhe Luksemburgu është disa herë më i vogël, por ai u bë model në nivel evropian. Mirëpo synimi i atëhershëm absurd i regjimit për të mbetur “vendi i vetëm socialist” në botë, apo “për të ngrënë bar, që mos shkeleshin parimet”, absurde siç ishin, ia mohoi vendit këtë moment madhor historik.
Dihet tashmë historia e pafat e atyre tri vizitave që nuk vijuan më tej, për shkak të ndarjes nga jeta të Strausit, këtij gjiganti të politikës moderne gjermane. Disa i quajnë këto vizita si “shans të humbur”. Në fakt, siç e kam përmendur vite më parë në librin “Berlini pa Mure”, vizitat e Strausit mund të konsiderohen më tepër si “një mision i pamundur” për atë kohë. U bë realitet pas viteve ‘90, kur marrëdhëniet me Gjermaninë erdhën duke u forcuar dhe zgjeruar në të gjitha fushat. Shifrat dhe faktet e shumta do të donin një shkrim të veçantë, por ato tashmë janë të njohura për lexuesit. Këto zhvillime pozitive gjatë 25 viteve të fundit janë shoqëruar edhe me vizita të personaliteteve të larta. Nga vendi ynë nuk ka mbetur asnjë shtetar i nivelit më të lartë pa shkuar në Bon dhe Berlin. Edhe nga Gjermania e ribashkuar kanë vizituar Tiranën shumë personalitete të spikatura. Por Kancelari/Kancelarja gjermane asnjëherë. Vërtet më 1999-ën ishte Kancelari Schroeder, por në fakt, ai erdhi kryesisht në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për Kosovën, siç bënë në atë vit dhe të tjerë “diva” të politikës botërore. Ndaj kjo e tanishmja mund të cilësohet si vizita e parë e një Kancelari gjerman në kuptimin e vërtetë të fjalës në vendin tonë.
Kjo vizitë merr vlera më të mëdha, pasi Kancelarja Merkel sivjet mbush plot 10 vjet që dominon skenën politike gjermane e më gjerë; madje, ajo po drejton me kompetencë të rrallë për të dytën herë koalicionin e madh qeveritar, me social-demokratët gjermanë. Kjo shpjegon edhe besueshmërinë rekord politike të saj brenda dhe jashtë vendit.
Kjo vizitë hap një epokë të re në bashkëpunimin dypalësh. Veçse ajo po realizohet pas shumë vitesh, për shkak të një pjese të politikës që ka drejtuar vendin tonë pas vitit 2005 e deri vonë. Si të gjithë paraardhësit, edhe Merkeli ka qenë përherë e mirëpritur në Tiranë. Po pse nuk ka ardhur atëherë?
Sepse vizita të këtij niveli nuk janë “shëtitje e turizëm politik”, as qoka për njërin e për tjetrin, ca më pak “make–up” për qeverinë e një vendi. Përkundrazi, këto vizita janë vijim i natyrshëm i proceseve madhore historike të cilave ato u paraprijnë, i pasqyrojnë ose i formësojnë. Por, le ta themi se me këtë vizitë është bërë më shumë propagandë dhe reklamë qeveritare; të gjithëve na kujtohen se si ish-shtetarë të lartë “bënin be” për ardhjen e Kancelares në këtë apo atë datë. Mirëpo këto pohime apo njoftime asnjëherë nuk ishin zyrtare apo të përfshira në axhendën konkrete; autorët e tyre thjesht shfrytëzonin takimet e kortezisë të siguruara nëpër korridoret partiake, gjatë pushimeve e duke përfituar nga intimiteti i natyrshëm politik në të tilla raste, sidomos kur bëhet fjalë për takimet e partive politike homologe.
Vitet kaluan dhe ata që premtuan ardhjen e Kancelares e humbën pushtetin dhe dëshira jonë për të parë Merkelin në Tiranë dukej përherë e më e largët. Sidomos pas vitit 2008, kur vizitat e liderëve të mëdhenj u rralluan si asnjëherë. Dihet tashmë se dhe ish- Presidenti i Komisionit Evropian anuloi vizitën minutat e fundit në vitin 2010, sepse në vend mbizotëronte mungesa e dialogut politik dhe keqtrajtimi i opozitës, edhe kur ajo jepte, jo pa kosto politike për veten, viston e saj për ecurinë demokratike në vend.
Ja pse vizita e Merkelit mund të quhet me plot gojën, “e treta e vërteta”. Sepse ajo i kalon caqet e një vizite protokollare. Vizita e 8 korrikut është pjesë përbërëse e një procesi të ri politik që u ngrit në nivelin më të lartë vitin e kaluar e që kulmoi me Konferencën e Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Strategji me shumë vizion dhe përmbajtje, me “mish” dhe me “frymë”, por dhe me dinamikë premtuese, me projekte e programe rajonale zhvillimi dhe bashkëpunimi politik, kulturor, ekonomik, tregtar etj. Kjo vizitë është një “Po” e madhe ndaj ecurisë së përgjithshme pozitive të proceseve tona demokratizuese dhe të integrimit të gjithanshëm.
Tashmë Shqipëria, si anëtare e NATO-s dhe kandidate e BE-së po tregon se, me gjithë problematikën dhe sfidat jo të vogla, të cilat i përmendi dhe Kancelarja Merkel në prag të ardhjes në Tiranë, qeveria dhe forcat politike kanë vullnetin të ecin përpara. Kemi dhënë prova bindëse për bashkëpunimin tonë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, duke evidentuar bashkëjetesën tonë fetare, të cilën e evokoi edhe Papa Françesku vitin e kaluar. Vlerësim pozitiv kemi marrë edhe lidhur me kontributin e ndjeshëm në rajonin e trazuar të Ballkanit. Shqipëria po e tregon veten përherë e më shumë si forcë aktive, stabilizuese, moderuese, paqëtore dhe dialoguese. Kjo merr rendësi të veçantë tani, kur zhvillimet e kohëve të fundit, kanë nxjerrë më shumë në pah nevojën e një rajoni të qetë dhe stabil, me sytë dhe mendjen nga Evropa dhe SHBA.
Në këtë kontekst, vitin e kaluar Kancelarja Merkel mori nismën madhore për një qasje të re proaktive të këtij rajoni në të gjitha planet. Jo si një “show” apo demarsh diplomatik i tipit “flakë kashte”, por me synime afatgjata dhe të qëndrueshme. Procesi i filluar vitin e kaluar në Berlin do të vijojë së shpejti në Vjenë e më vonë në metropolet e tjera, duke zgjeruar si dimensionet, ashtu dhe gjeografinë e tij evropiane. Veç të tjerash, ky proces historik po shpaloset në frontet ekonomike, investime, duke u bërë i prekshëm e duke fituar besimin e gjerë të publikut. Në planin dypalësh, zbërthimit dhe konkretizimit të tyre të shpejtë i kanë shërbyer edhe vizitat e ministrit të Jashtëm, atij të Ekonomisë dhe Energjetikës etj. Po kështu, kryeministri ka qenë disa herë në Berlin, Stutgart dhe gjetkë, duke marrë pjesë dhe në forume biznesi, ashtu si dhe Presidenti i Republikës. Kësisoj, vizita e 8 korrikut vjen natyrshëm si pika më kulmore e kësaj epoke të re e të pandalshme historike.
Edhe në fushën e bashkëpunimit rajonal, politika dhe diplomacia shqiptare, sikurse është pohuar dhe në raste të tjera, po karakterizohet nga moderacioni dhe konstruktiviteti. Duke filluar nga gjuha dhe hapat e moderuar, me frymë të vërtetë evropiane, sjellja politike, qetësia dhe dialogu me fqinjët, bashkëpunimi, thyerja e tabuve të vjetra etj. Pas 70 vitesh, Kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë vizituan dhe u bënë mikpritës të njëri-tjetrit, me sinqeritet, po dhe me insinuata dhe incidentet e rastit; por më në fund duket se po fiton, me ngadalësi por siguri, logjika e fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian. Ndaj, takimet rajonale të Tiranës në maj të këtij viti u pritën mirë si nga opinioni i vendeve tona, ashtu dhe nga kancelaritë kryesore perëndimore. Me gjithë mangësitë e rastit, politika dhe diplomacia e Tiranës zyrtare i është përmbajtur me konsekuencë parimit “zero probleme” me fqinjët. Natyrisht, ka e do të ketë probleme, si kudo; por vendi ynë nuk është prodhues i tyre, as nxitës e shkaktar, ashtu sikurse prania e këtyre problemeve në vendet e tjera të rajonit nuk është në dorën tonë. Është fakt se qeveria, por dhe aktorë të tjerë politikë jashtë saj, e kanë treguar veten të hapur dhe pjesë aktive të përpjekjeve për zgjidhjen e problemeve; ndonëse këto të fundit u trashëguan nga e kaluara jo e largët.
Duke iu rikthyer vizitës së Kancelares Merkel, ajo bëhet vetëm dy javë pas përfundimit të zgjedhjeve të reja lokale; si e tillë ajo jep qysh përpara realizimit të saj mesazhin se politika shqiptare e të gjitha krahëve duhet të shkojë drejt bashkëpunimit më të madh dhe efektiv.
Mbi të gjitha, kjo vizitë, e njoftuar me modesti, pa bujën dhe zhurmën e mëparshme mediatike, shihet dhe konceptohet nga të gjithë aktorët dhe faktorët përkatës si një mundësi e re madhore për nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe të ardhmen e përbashkët në BE. Pas gjithë këtyre hapave dhe arritjeve, por dhe sfidave e problemeve që kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme, ardhja e Kancelares Merkel në Tiranë është ogur i mirë edhe për përshpejtimin e procesit tonë të hapjes së bisedimeve për BE. Ja pse, siç pohojnë disa analistë dhe vëzhgues politikë, vështirë se mund të kishte një moment më të gjetur e të goditur për këtë vizitë vërtet historike të Gruas më të fuqishme të Planetit.
* Jorgji Kote ka qenë diplomat në Berlin dhe është autor i librit “Berlini pa Mure”


(d.d/GSH/BalkanWeb)



Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: