BERLIN – Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se nuk do të ketë asnjë anulim të borxheve të Greqisë, duke shtuar se bankat dhe kreditorët kanë bërë tashmë shkurtime të konsiderueshme.

“Ka pasur falje vullnetare të borxhit nga kreditorët privatë. Bankat po ashtu kanë zbritur miliarda nga borxhi i Greqisë”,- ka thënë Merkel për mediat gjermane. Greqia ka një borxh prej 315 miliardë eurosh, rreth 175 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ndërkaq Komisioneri Evropian për Çështjet e Ekonomisë dhe Financave, Peirre Moscovici deklaroi se “Greqia i përket eurozonës dhe do të bëjmë gjithçka për të parandaluar daljen e saj nga eurozona”, por shtoi se qeveria greke duhet të respektojë zotimet e mëparshme.

“Ne besojmë se vendi i Greqisë është në eurozonë, euroja ka nevojë për Greqinë, por dhe Greqia ka nevojë dhe dëshiron të qëndrojë në eurozonë. Është mjaft e rëndësishme për qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë e Euros që të mos ketë një dalje të Greqisë, ndaj ne do të bëjmë gjithçka që nevojitet për ta shmangur këtë.”- u shpreh zyrtari francez. Deklaratat e mësipërme erdhën një ditë pasi Ministri grek i Financave, Varufakis deklaroi se nuk do të bashkëpunojë më me “Trojkën”. Ai sqaroi se Trojka ka dy nivele, atë institucional dhe teknik, dhe se Greqia kërkon bashkëpunim institucional.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: