TIRANË- Megjithëse në një vizitë të shkurtër, kancelarja gjermane dha disa mesazhe të qarta për politikën në Tiranë. Merkel i kërkoi politikës shqiptare të krijojë kushte për investitorët gjermanë të interesuar në disa sektorë të rëndësishëm. Kancelarja tha se gjermanët kanë interes për turizmin, energjinë dhe telekomunikacionin.

“Unë jam shumë e sigurt që kemi mundësi të mira për të bashkëpunuar, sikurse mund të jetë sektori i turizmit, i furnizimit me energji elektrike, telekomunikacionit, vetëm për të përmendur disa prej këtyre shembujve. Mendoj që  politika mund të angazhohet në krijimin e kontakteve më të shumta në këtë drejtim”, theksoi Merkel gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama.

Ajo tha se krijimi i kushteve ligjore të besueshme, do të sjellë rezultate më të mira në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

“Unë mendoj që kemi mundësi edhe më të mëdha për të arritur rezultate edhe më të mira në bashkëpunimin tonë ekonomik. Mendoj se për Shqipërinë është mjaft e rëndësishme krijimi i kushteve ligjore të besueshme sepse mendoj se investitorët gjerman sigurisht kanë nevojën për tu besuar këtyre kushteve dhe situatës juridike. Është një aspekt i cili shënon edhe një kontribut mjaft të rëndësishëm të rrugën tuaj që prej të marrjes të statusit të vendit kandidat deri në momentin e të bërit anëtarë të BE. Ne e mbështesim Shqipërinë në këtë drejtim”, deklaroi Merkel. Për investimet gjermane, kancelarja Merkel foli edhe në Forumin Ekonomik me investitorë të dy vendeve.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: