GJERMANI- Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka deklaruar sot se konflikti në Ukrainë nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake, ndërsa ka kërkuar që Rusia të ketë një qasje pozitive për zgjidhjen e krizës. Këto deklarata Merkel i ka bërë nga konferenca e sigurisë në Mynih. Ndërkohë ajo i ka kërkuar Rusisë të bëjë pjesën e saj për zgjidhjen e konfliktit.

Më herët kancelarja gjermane Merkel, presidenti Francez Hollande dhe presidenti rus Putin kanë rënë dakord në Moskë për të punuar mbi një plan paqeje i cili do t’i dorëzohet presidentit të Ukrainës ditën e diel dhe që synon gjetjen e një zgjidhjeje për situatën në lindje të Ukrainës. Dy liderët europiane Merkel dhe Hollande biseduan për më shumë se katër orë me presidentin Putin në Kremlin dhe të tre palët e përshkruan takimin si konstruktiv dhe substancial. Merkel dhe Hollande i kanë paraqitur Putinit propozimin e ri për përfundimin e konfliktit ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve, të mbështetur nga Rusia.
Nga ky konflikt, i cili ka filluar në muajin prill të vitit të kaluar, janë vrarë më se 5 350 vetë. Konflikti po ashtu i ka shtuar tensionet ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit në një nivel që nuk është parë prej Luftës së Ftohtë. Dimitry Peskov, zëdhënës i presidentit Putin, tha se të tre zyrtarët e lartë po takohen ballë për ballë në Kremlin, pa pjesëmarrjen e anëtarëve të delegacioneve që gjenden në vizitë ose të zyrtarëve të nivelit më të ulët. Putin po ballafaqohet me presion në rritje të perëndimit për të mos i mbështetur separatistët, të cilët kanë nën kontroll dy provinca në pjesën lindore të Ukrainës.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb