BRUKSEL– Shpresën se procedura e zgjedhjes së presidentit të ri të republikës në Greqi do të ketë finalizim pozitiv, shprehu nga Brukseli kancelarja gjermane, Angela Merkel, në konferencën për shtyp, pak pas përfundimit të ditës së parë të samitit të BE-së.

Më 17 dhjetor, parlamenti grek dështoi në raundin e parë për zgjedhjen e Stavros Dimasit si president i ri i Republikës Greke.

E pyetur për situatën e ekonomisë greke, Merkel u shpreh optimiste, duke vlerësuar se ”ekonomia greke po lëviz në një kurs konstant”.

Po dje, duke folur në parlamentin federal, në fjalimin e saj tradicional para samitit evropian, kancelarja kishte deklaruar se “perspektiva e Greqisë është më e mirë se para dy vjetësh, megjithëse mbeten ende shumë për të bërë”.

Bundestagu miratoi kërkesën e Ministrisë gjermane të Financave për një zgjatje dymujore të afatit të programit grek dhe autorizimin e ministrit Wolfgang Schauble që të negociojë në emër të qeverisë gjermane inkuadrimin e Greqisë në linjën preventive të kreditimit.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: