BERLIN- Kancelarja Merkel zgjedh fjalët e ish-Presidentit gjerman Wulff dhe deklaron “Islami është pjesë e Gjermanisë”. Megjithë rritjen e numrit të grupimit kundër Islamit, i cili manifeston çdo javë në qytetin lindor të Dresdenit, Merkel nuk “trembet” të pohojë një gjë të tillë.

Këto deklarata kancelarja gjermane i bëri gjatë takimit dhe konferencës së përbashkët me kryeministrit turk Ahmet Davutoglu.

Rreth 18 000 njerëz manifestuan në Dresden një javë më parë, ndërkohë që policia është angazhuar për një pjesëmarrje më të madhe sot duke parë valën e irritimit dhe frikës nga vdekja e 17 personave në Francë.

Por, duke qëndruar pranë kryeministrit turk, Ahmet Davutoglu në një konferencë shtypi në Berlin, Merkel tha se ajo beson se Islami ishte pjesë e Gjermanisë. “Mund të them se ish-presidenti ynë federal, Christian Wulff ka thënë se Islami është pjesë e Gjermanisë. Kjo është ajo që edhe unë mendoj”, deklaroi Merkel, e cila do të marrë pjesë në një manifestim për tolerancën organizuar nga grupimet e komuniteteve islamike dhe turke në vend.

“Unë jam kancelarja e gjithë gjermanëve. Kjo përfshin të gjithë ata që jetojnë këtu, pavarësisht se nga vijnë”, theksoi Merkel. PEGIDA parashikon për sot edhe manifestime në Hanover, Berlin dhe Kassel.

Ndërkohë më herët, Merkel hodhi poshtë polemikat për kufizim apo bllokim të zgjerimit të zonës Shengen, pas sulmeve terroriste në Francë.

“Nuk e diskutojmë çështjen e Shengenit”. Kështu ka deklaruar kancelaria në një takim me kryeministrin turk, Davutuglu.

“Nevojitet vetëm shkëmbim informacioni. E mbështesim sigurinë e kufijve nëpërmjet bashkëpunimit. Gjermania dëshiron një bashkëjetesë paqësore me islamin”.

(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: