Pas rezultatit katastrofik të partisë së saj në zgjedhjet e landit të Hessenit, Angela Merkel dëshmon format e përgatit me zgjuarsi largimin e saj, me heqjen dorë nga kandidimi për kryesinë e partisë, thekson Ines Pohl.

Që prej një gjysmë viti qeveris koalicioni i përbërë nga SPD dhe CDU/CSU. Dhe që prej një gjysmë viti Gjermania nuk udhëhiqet, por paralizohet nga një qeveri, e cila në radhë të parë merret me veten e saj. Grindje të brendshme përcaktojnë rendin e ditës, jo çështjet urgjente si nacionalizmi i djathtë që po forcohet, i cili po feston suksese jo vetëm në Gjermani dhe tek fqinjët evropianë, por në të gjithë botën. Ndaj sfidave të migrimit nuk gjenden përgjigje, po kaq pak vërehet një trajtim i reflektuar i rreziqeve dhe shanseve të inteligjencës artificiale. Për të mos folur për ndryshimin e klimës.

Populli gjerman është ngopur me këtë egocentrizëm dhe me këtë vetëshkatërrim.  Zgjedhjet në landin me ekonomi të fortë të Hessenit treguan qartë pikërisht këtë: vendi kërkon ndryshim. Shumica nuk ka më besim që Angela Merkeli pas 13 vitesh në post do të jetë në gjendje ta drejtojë procesin e ripërtëritjes.

Shansi i fundit për Merkelin

Angela Merkeli e di këtë. Ditët e fundit ajo ka folur çuditërisht hapur që sa e vështirë është pas kaq vitesh në post që të rregullosh atë që do të të pasojë. Dhe sot shfrytëzoi shansin e fundit për të luajtur ende një rol aktiv.

Si traditë, një kancelar nga radhët e CDU-së ka edhe kryesinë e partisë. Këtë nuk e kërkojnë statute të partisë, por aritmetika e pushtetit. Kjo e bën shumë më të lehtë qeverisjen. Merkeli ka bërë të qartë gjithmonë se nuk dëshiron të heqë dorë nga ky instrument. Që ajo shpall tani se nuk do të kandidojë më në dhjetor për kryesinë e partisë tregon se sa serioze është gjendja. Kjo dëshmon që Merkeli po humbet mbështetje edhe në radhët e saj. Kjo tregon se Merkeli nuk e humbet instinktin e mbijetesës edhe në rënie. Në vend që të lejojë që të mos e zgjedhin, ajo heq dorë vetë. Edhe njëherë ajo tregon se është aktorja pragmatike, e cila tregon papritur formën më të mirë, kur vështirësitë janë më të mëdha.

Ndërtimi i pasardhëses së preferuar

Kjo i jep asaj pak hapësirë. Ajo mund të punojë edhe më tej për ndërtimin e pasardhëses së saj Anngegret Kramp-Karrenbauer. Dhe para së gjithash ajo mund të qëndrojë për njëfarë kohe kancelare.

Në fund ajo do të ndihmojë me këtë jo vetëm veten, por edhe partinë e saj. Tani topi është sërish në fushën e SPD-së, të partneres qeveritare. Me vendimin e Merkelit janë shtuar gjasat që SPD të largohet nga aleanca qeveritare – dhe në këtë mënyrë që barra për këtë dështim të kalojë në supet e SPD-së.

Merkeli i mbetet besnike vetes. Deri në fund të kancelarisë së saj – e cila tani është afruar dukshëm./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb