I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se vitin e ri shkollor do të hapen 12 shkolla të tjera dhe për herë të parë do të marrë fund tema e shkollave me dy turne.
“Hapim dhe 12 shkolla. Për herë të parë nuk do të kemi më shkolla me dy turne në Tiranë. Kemi ndërtuar aq shumë shkolla, sa besoj se nuk do flasim më për shkolla me dy turne. Kjo merr fund njëherë e mirë. Çështja që më dhemb më shumë është ajo e kohës, se ikën koha. Ikën një kohë e çmuar, që është jeta e vendit. Kur shikon se shumë prej këtyre flluskave kanë qenë një pengesë pa sens.
Ne tani po përgatitemi për rindërtimin e Teatrit, por kur mendon sa shumë vite humbëm për këtë, të vjen keq. Edhe kundërshtari më i madh i punëve tona, vetëm duke na sharë është bërë më i pasur. Tirana rritjen e vet e ka përfitim të të gjithëve, jo për një grup të caktuar. Ndaj të gjithë duhet të gëzohemi, kur punët e qytetit shkojnë mirë”, u shpreh kryebashkiaku.
(BalkanWeb)