Prokuroria për Krime të Rënda ngre akuzë zyrtare për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai akuzohet për favorizim të grupit kriminal Habilaj në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Ish-zyrtari i lartë pritet të paraqitet mesditën e të enjtes në institucionin e prokurorisë, ku do t’i komunikohen zyrtarisht akuzat.


Bashkë me ish-ministrin tw pandehur janw marrw edhe tre ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Vlorës, Jaeld Cela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode, të cilët jetojnë në arrati prej më shumë se një viti e gjysmë. Konkretisht ndaj tyre rëndojnë akuzat e trafikut të narkotikëve në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, grupi i strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave nga organizata kriminale. Në dosjen e prokurorisë, e cila bazohet kryesisht në materiale të ardhura nga Italia, Mali i Zi dhe Greqia, si dhe përgjimet telefonike, thuhet se ish-ministri dhe tre ish-zyrtarët e policisë së Vlorës kanë krijuar kushtet e favorshme që pjesëtarët e grupit kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj, të ushtronin të qetë aktivitetin e paligjshëm të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë.

Hetimet për Tahirin nisën në tetor të 2017 pas arrestimit në Catania të Moisi Habilajt dhe anëtarëve të grupit të drejtuar prej tij. Përgjatë dy viteve ish-ministri ka zhvilluar disa betaja me gjykatën, duke ia dalë të rrëzojë prokurorinë, në të paktën tri raste. Njëherë kur rimori dokumentat e identifikimit, më vonë, kur Apeli i hoqi masën e sigurisë “arrest shtëpiak”, që kishte caktuar ndaj tij gjykata e shkallës së parë për Krime të Rënda, e së fundmi, kur bindi gjykatën të urdhëtonte prokurorinë për të përfunduar hetimet dhe t’i jepte zgjidhje cështjes së tij.

Dosja penale e Tahirit dhe tre ish-drejtuesve të policisë, pritet që brenda dhjetë ditësh t’i dorëzohet gjykatësit paraprak. Do të jetë gjyqtarja Liljana Baku, e cila pritet të vendosë për fatin e katër të pandehurve, nëse do ta dërgojë cështjen në gjyq, apo të vendosë pushimin e saj.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb