TIRANË

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka folur pas vendimit të gjykatës për nisjen e gjykimit ndaj tij që e vendos zyrtarisht si të pandehur. Në një prononcim për mediat pas seancës 8 orëshe, Tahiri tha se të gjithë kishin shumë gjëra për të thënë por se më e rëndësishmja vjen.

“Zgjati se kam përshtypjen të gjithë kishin gjëra për të thënë lidhur me atë që parashtruan prokurorët. Më shumë se afati 8 orë i zgjatjes së seancës sot, më vjen keq vetëm për ju që u detyruat të prisnit. Ajo që vjen para është më e rëndësishme se ajo që shkoi. Tani shkojmë në gjykim dhe ky është një shans për mua për të treguar atë që kam thënë gjithmonë. nuk dua të merrem me llojin e seancës, me llojin e akuzës. Jam rezervuar të komentoj dhe nuk dua ta bëj dhe tani në respekt të një sistemi që kam kontribuuar dhe unë deri diku”, tha ish-ministri.

Pse kërkuat gjykim të shkurtuar?
Unë kërkova që gjykimi të mos jetë një histori zvarritje e pafund. Prokuroria pretendon atë që pretendon, unë kam shumë më shumë për të pretenduar se sa prokuroria. Kështu që nuk ka nevojë për zgjatje pafundësisht dhe në këtë rast do ju lutesha juve që të bëni kujdes kur ta citoni dhe të saktësoni që unë vazhdoj dhe do vazhdoj deri në fund të argumentoj atë që kam thënë që nga fillimi që nuk kam pikën e lidhjes me këtë çështje. Atë që verifikoi Prokuroria e Italisë, atë që verifikoi Gjykata italiane. Prokurorët mendojnë që pikërisht vendimi i Italisë është që në qoftë se atje më gjeti që nuk kam lidhje fare, këtu prokurorët argumentojnë ndryshe. Kjo është çështje e tyre, do ta shohim në gjykim. Drejtësia prandaj është e bukur, pavarësisht se në shumicën dërrmuese të rasteve nuk bën drejtësi, por në ato pak raste kur bën drejtësi ia vlen.

Si ishte të qëndrojë 8 orë në gjykata, hera e parë dhe dosja juaj ka shkuar me karrocë në gjykatë, çfarë kishte ajo karrocë?
Kam pak zor të flas për veten në rastin kur gjendem në këto pozita. Do ndjek me përpikmëri çdo fazë të gjykimit. Nuk jam zënë me askënd. Di t’ju them që kur kjo ndodh me mua, merreni me mend ç’ndodh me njerëzit që s’kanë mundësi të flasin para jush. Nuk jam as ndonjë hero i heshtur, as s’më pëlqen kjo pozita e njeriut me poza heroike por di të them se realisht më vjen keq për njerëzit që vuajnë nga ky sistem drejtësie dhe nuk kanë mundësi të flasin.

Keni pasur ndonjë kontakt me të bashkëakuzuarit?
Asnjë kontakt.

Ku bazohej prokuroria për të ngritur akuzën, pra cilat ishin provat konkrete që citoi organi i akuzës?
Çfarë keni dëgjuar. Unë i kërkova prokurorisë të më bëjë një akuzë të qartë dhe të saktë siç parashikon ligji. Prokuroria ka detyrimin që të më tregonte në seancë cilin veprim kam bërë unë që kam shkelur ligjin. Është shumë e thjeshtë. Prokuroria nuk u përgjigj. Pas disa herësh që u interesova dhe unë dhe gjykata, prokuroria nuk u përgjigj.

Ju keni folur për trininë e shenjtë seancën e kaluar, i qëndron kësaj?
Nga sot e tutje që mbaron hetimi keni folur vetëm ju praktikisht, unë nuk kam folur as për prova, unë s’kam folur as për procesin, unë s’kam folur as për  mënyrën si janë zhvilluar ngjarjet. Sot e tutje do flas edhe unë sigurisht. Në gjykatë dhe për publikun. Ky nuk mund të jetë më një proces i mbyllur. Nuk mund të jetë më një proces ku provat e ashtuquajtura trafikohen.

Cilat janë provat tuaja që pretendoni të merrni pafajësinë?
Ka kohë për të të gjitha. Unë di t’ju them që ky proces i ka kapërcyer kufijtë e një maskarade të çdo lloj niveli. Po gjithsesi unë nuk mërzitem fare me këtë, jam mësuar edhe shumë më keq se sa kaq, kështu që nuk më shqetëson asgjë nga këto dhe them që do ia dal, pa diskutim fare.

Nga ju vijnë sulmet zoti Tahiri?
Jepini kohën e duhur procesit, ju do i dëgjoni të gjitha. Kur jeni në gjendje që të nxirrni nga errësira gjëra që ja u japin prokurorët, shumë kollaj do e keni të merrni nga unë atë që duhet por le të mos nxitojmë për këtë. Di t’ju them vetëm një gjë që e dyshoj shumë fortë që ky është sistemi i drejtësisë për të cilin luftova. Gjithsesi kjo mbetet për t’u parë.

Çfarë shpresonit nga gjykata sot?
Kjo është e gjitha një absurditet, kështu që çfarë të pretendoj. Kur unë i drejtohem prokurorisë dhe gjykatës dhe iu them ore më tregoni ku e kam shkelur ligjin dhe askush nuk më tregon dot një gjë, çfarë të them unë pastaj?!

A është gjykata e varur apo e pavarur në rastin tuaj?
Nuk di ta them këtë. Drejtësia prandaj është e bukur se kur ndodh që ndonjëherë bën drejtësi ia vlen në kurriz të shumë rasteve kur nuk bën drejtësi.

A bëri drejtësi gjykatësja e seancës paraprake?
Nuk dua të komentoj se kam konflikt interesi në këtë rast, unë isha personi në gjykim bashkë me të tjerë kështu që nuk dua të komentoj vendimet që më përkasin mua. Në një rast tjetër sigurisht do kisha shumë për të komentuar siç kam bërë në të gjitha rastet për prokurorë dhe për gjyqtarë që kam menduar kanë shkelur ligjin siç e shoh që ndodh akoma në kurriz të njerëzve dhe pak njerëz flasin.

Prokurorët a janë të pavarur në çështjen tuaj?
Nuk ka rëndësi fare se nga varen dhe nga kush varen.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb