Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, firmosi masën disiplinore “përjashtim nga policia” të oficerit të krimeve të Komisariatit nr.4, Kastriot Palushi, për të cilin AMP ka kryer arrestimin në flagrancë një ditë më parë, në vijim të hetimeve nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhet se “bazuar në ligjin 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe Rregulloren e Policisë së Shtetit, përjashtimi i nënkomisar K. P., me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë, është bërë për veprime korruptive, sjellje të rëndë diskretituese, shkelje të rëndë të atributeve, shkelje të kompetencave të policisë dhe mosbindje të rëndë”.

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, kërkoi nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, kryerjen e një hetimi të thelluar disiplinor, jo vetëm për punonjësin e policisë, por për të gjithë sistemin drejtues të Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë.

“Duhet të evidentohet shumë qartë, me një punë të shpejtë dhe profesionale, e gjithë përgjegjësia e linjës drejtuese për sa i përket rastit konkret, duke marrë masat përkatëse. Drejtuesit e strukturave ngarkohen me përgjegjësi direkte për veprimet e tyre dhe të vartësve, ndaj kërkoj një verifikim të plotë të rastit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 në Tiranë”, u shpreh Rrumbullaku.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, vlerësoi bashkëpunimin me AMP-në e Prokurorinë dhe shprehu angazhimin maksimal për thellimin e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb