Ballshiotët kanë dalë në fushë dje pasdite dhe kanë nisur që të mendojnë për sfidat zyrtare të radhës, sepse këtë javë do të kenë dy takime, fillimisht Kupa e Shqipërisë në mesjavë dhe në fundjavë rikthehet kampionati.
Bylisi barazoi në testin me Lushnjën, në një duel ku mallakastriotët u dhanë shansin lojtarëve të stolit për të treguar veten, ndërsa në këtë duel munguan dy titullarë, portieri Renato Beqaj dhe mbrojtësi i krahut, Laert Papa. Të dy 20-vjeçarët kanë pësuar dëmtime në sfidën e fundit me Partizanin në kryeqytet. Ballshiotët nuk kanë dashur që t’i rrezikojnë duke mos i aktivizuar në testin ndaj Lushnjës.
Por tashmë ballshiotët kanë edhe një tjetër test, para se të matin forcat në kampionat me Skënderbeun, të dielën në mesditë në stadiumin “Adush Muçaj”. Pas dy ditëve, për herë të parë mysafirë do të jenë në Ballsh modestët e Adriatikut, skuadër e periferisë së Durrësit, që militon në Kategorinë e Dytë.
Do të jetë një test i rëndësishëm para sfidë me korçarët, ndërsa duhet theksuar se pritet që të ketë shans edhe për lojtarët e ekipit të parë, por edhe ndonjë prej atyre të U-21 dhe U-19. Ballshiotët pritet që të rihyjnë me tjetër marsh këtë here, për më tepër qe edhe skuadra është më e harmonizuar. Gjithsesi, trajnerit Dede do t’i duhet të ndërhyjë menjëherë, pasi me këtë ritëm, sezoni tjetër mund ta gjejë Bylisin sërish në të Parën.