Pothuajse dy vjet pasi Rusia pushtoi vendin e tyre, ortodoksët ukrainas kanë marrë pjesë në shërbesat fetare që nga mbrëmja e kaluar teksa festojnë Krishtlindjet më 25 dhjetor, në të njëjtën datë me botën perëndimore, për herë të parë në historinë e tyre, në shenjë sfide përballë Moskës. Festimet e Krishtlindjeve në Betlehem po errësohen nga “konflikti i armatosur në Gaza”, tha Papa Françesku, ndërsa ukrainasit festojnë Krishtlindjet për herë të parë më 25 dhjetor, në sinkron me vendet perëndimore, në kundërshtim me Rusinë.

“Zemrat tona, këtë mbrëmje, janë në Betlehem, ku princi i paqes është refuzuar edhe një herë nga logjika e dështuar e luftës, me konfliktin e armatosur që edhe sot e pengon atë të gjejë një vend në botë”, tha Papa dje në meshën e Krishtlindjeve në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Vendi i shenjtë i krishterimit, qyteti i Betlehemit në Bregun Perëndimor të pushtuar, ishte bosh nga pelegrinët këtë vit, ndërsa shumica e festimeve të Krishtlindjeve u anuluan për shkak të luftës në Rripin e Gazës. “Ka shumë që vdesin për këtë tokë, është shumë e vështirë të festosh diçka kur njerëzit tanë po vdesin,” tha Nicole Nazar, një studente 18-vjeçare, në sheshin e shkretë në Manger.

Përpara Bazilikës së Lindjes së Krishtit, këtë vit nuk u ngrit asnjë grazhd: Maria dhe Jozefi përfaqësohen nga statuja gri, midis mbeturinave, pas gardheve me tela me gjemba. Duke u ndalur te festimet në Ukrainë, Zelensky tha se; “Ne lutemi për përfundimin e luftës. Ne lutemi për fitore. Për paqe, për drejtësi”. Deklarata u bë përpara manastirit që priti deri në fund të vitit 2022 kreun e Kishës Ortodokse të Ukrainës, e cila ende nuk ishte bërë e pavarur nga Moska.

Është hera e parë në historinë moderne të Ukrainës që besimtarët ortodoksë festojnë Krishtlindjet në sinkron me katolikët, si dhe ortodoksët në Greqi, Rumani dhe Bullgari, më 25 dhjetor dhe jo më 7 janar siç ishte zakon deri tani. Kisha Ortodokse Ruse ndjek kalendarin e vjetër Julian për festat fetare.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb