Mes maleve në një natyre ende të virgjër në një pikë takimi midis tre shteteve Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë ndodhet liqeni i Prespës së Madhe. Natyra ka qenë bujare në këtë zonë dhe ajo që i bën më shumë përshtypje vizitorit kryesisht atyre që vijnë për herë të parë në këtë vend është pikërisht harmonia e elementëve të natyrës.
Liqeni, mali dhe qielli ndërlidhen natyrshëm me njeri-tjetrin dhe kjo harmoni e qetësi përcillet edhe tek vizitorët e turistët që vijnë në këtë zonë, e cila është pjesë e bashkisë së Pustecit në qarkun e Korçës.
Edhe fshatrat piktoresk të zonës nga larg duket se qëndrojnë natyrshëm në këtë pejzash duke i shtuar atij bukurinë, por duke i dhënë edhe gjallërinë e aktivitetit njerëzor.
Për Prespën është folur jo pak herë për resurset dhe bukuritë e saj, por ajo ende vijon të mos jetë shumë e njohur dhe e frekuentuar si nga turistët vendas ashtu edhe nga ata të huaj. Për këtë ndoshta ka ndikuar edhe largësia nga qendrat e mëdha urbane, megjithatë ata që vijnë njëherë këtu është e pamundur te mos kthehen serish. Sipas Andon Janit nënkryetar i Bashkisë së Pustecit, ka një rritje graduale vit pas viti të numrit të vizitorëve, çka sjell edhe një optimizëm se perspektiva turistike e zonës do të kthehet në një sektor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të zonës.
Persona të kualifikuar ofrojnë për udhëtarët dhe turistët guida turistike në liqen, që fokusohen kryesisht tek ishulli i Maligradit që ndodhet në mes të liqenit në pjesën shqiptare të tij. Gjithashtu me shumë interes janë edhe vizitat në objektet e kultit që ndodhen brigjeve të liqenit dhe ku mund të arrihet vetëm me varkë. Kisha të vjetra me vlera të shumëfishta kulturore e fetare ndodhen në këtë zonë dhe tërheqin mjaft turistë e vizitorë.
Ishulli i Maligradit është padyshim një destinacion ekzotik, sidomos në ditët e nxehta, kur vetja të duket sikur je në një vend të paprekur nga njeriu, pasi çdo gjë që të rrethon është vepër e natyrës.
Fati e do që ketë ditë të takojmë një grup turistësh holandëze të cilët janë me pushime në Maqedoni, por nga kureshtja për të parë nga afër këtë bukuri natyrore kanë organizuar këtë udhëtim në Prespë. Pelikanët, por edhe bukuria e natyrës i ka nxitur të vizitojnë këtë vend.
“Ishim me pushime në Maqedoni dhe vendosëm të vijmë deri këtu për të parë këtë zonë ujore, si edhe ishullin e Maligradit që njihet si ishulli i pelikanëve. Është shumë vend i bukur, ka mjaft zogj. Rruga ishte panoramike. Jemi shumë të lumtur që patëm mundësi të vizitojmë këtë vend”, thotë një turist.
“Është një vend i bukur dhe ndryshe. Është bukur të njihesh me një vend të ri dhe me mënyrën sesi jetojnë njerëzit. Këtu ka shumë kafshë dhe zogj. Pelikanët janë shumë të bukur, në përgjithësi është shumë këndshëm. Përveç liqenit këtu ka edhe male të gjelbëruar. Shoh se ka nisur të krijohet një infrastrukturë turistike. Pamë disa shërbime dhe restorante, mendoj se me pak punë mund të bëhet një vend ideal për t’u vizituar dhe për të pushuar”, shton një tjetër.
Ndërsa një pushues tjetër shprehet se: “Është një vend shumë interesant. Ajo që më tërheq më shumë është të shikoj një vend ish-komunist sesi po përshtatet në epokën e kapitalizmit. Kjo është diçka që më tërheq. Shoh diferenca kulturore dhe historike. Gjithashtu nuk e prisja të gjeja diçka kaq të bukur edhe persa i përket natyrës. Mënyra se si janë ndërtuar shtëpitë dhe mënyra e jetesës janë gjithashtu interesante”.
Për shkak të erës, dallgët nuk na lejojnë të ndalojmë në ishull por kjo nuk na pengon të sodisim natyrën e egër dhe të mrekullueshme të zonës. Pelikanët, uji i pastër i liqenit, dhe një ndjesi lirie që përjetohet kur udhëton me varkë, na shoqërojnë në këtë udhëtim çlodhës.
Sipas të dhënave që disponon edhe bashkia e Pustecit, numri i turistëve vjetorë shkon në rreth 80 mijë, ku 50 % e tyre janë vizitorë e turistë ditorë, ndërsa pjesa tjetër qëndron në hotelet dhe bujtinat e zonës, që janë ende të pakta, por që ofrojnë kushte mjaft të mira për vizitorët.
Gastronomia unike e zonës së Prespës që kulmon me tavën e krapit është diçka që duhet provuar patjetër.
Në molin e vogël të liqenit takojmë Llazi Stojani me profesion mësues, por që është trajnuar për tu ofruar guide ne liqen vizitoreve dhe turisteve. Si një njohës i mire historian se kësaj zone dhe komunitetit ku bën pjese ai na jep nëpërmjet një interviste të shkurtër disa detaje mbi shërbimet , grupet e turistëve, natyrën dhe gastronominë.
Prespa dhe resurset e saj natyrore dhe kulturore nuk mund të njihen plotësisht me një udhëtim të vetëm, por shpresojmë që nëpërmjet këtij materiali të kemi ngacmuar kureshtjen tuaj për ta bërë liqenin e Prespës pjesë të destinacioneve të preferuara. “News24” do të kthehet sërish këtu për të sjellë të tjera bukuri dhe vlera të kësaj zone.
(BalkanWeb)