NGA VITORE NDOJ*

LEZHË- Vala e kthimit të azilkërkuesve nga Gjermania, jo në pak raste prek edhe ata që vërtetë kanë nevojë për një mbrojtje të tillë. 54-vjeçari nga Shkodra, Hil Zef Plepi dhe bashkëjetuesja e tij, Lezina Lleshi ndodhen mes 4 rrugëve, pa asnjë shpresë për të ardhmen e jashtë vëmendjes së shtetit.

Ata janë kthyer pak ditë më parë nga Gjermania, pas shpalljes së Shqipërisë “Vend i sigurt i origjinës”, ndërsa jeta e tyre është në çdo çast e rrezikuar, pasi janë të mbërthyer nga gjakmarrja. 54-vjeçari u fut në hasmëri që prej vitit 1998, kur pas një sherri banal për flamuj e banderola, i bënë një atentat në banesën e tij në fshatin Bushat, e për vetëmbrojtje tregon se vrau një person e plagosi një tjetër. 54-vjecari që prej atëherë ka përfunduar disa herë në burg, vuajti dënimin për vrasjen, si dhe ka pësuar disa atentate nga hasmi, të cilave u ka shpëtuar mrekullisht.

Pas peripecive në vendlindjen e tij, 54-vjeçari vendosi të ndërmarrë të vetmen rrugë që i kishte mbetur për të nisur një jetë të re, atë të azilit. Ai rrëfen se ka qenë një deklaratë e ambasadorit gjerman që e ka dëgjuar në TV, që bëri që ai të merrte vendimin për t’u nisur drejt Gjermanisë.

Pas shumë peripecish Hila dhe Lezina mbërrijnë në “tokën e premtuar” Gjermaninë. Duket sikur fati nis t’iu buzëqesh pasi ata arrijnë të integrohen aty, në shkolle mësuan gjuhën, rrëfejnë se njohën edhe miq të rinj nga komuniteti në shtetin gjerman, madje një e përditshme gjermane bëri edhe një artikull për jetën e tyre të re. Por kjo nuk do të zgjaste shumë. Momenti i shpalljes vend i sigurt i origjinës për Shqipërinë, solli kthimin në Shqipëri të Hilës dhe Lezinës. Prej disa ditësh ata përballen me një realitet tjetër, ku përveç frikës nga një hakmarrja e mundshëm, nuk kanë asnjë shtëpi ku të fusin kokën, pasi tek shtëpia në Shkodër, ku jeton e vetme nëna e Hilës, nuk mund të kthehen për shkak se hasmi është fqinj i tyre. Falë mëshirës së një gruaje në një fshat në periferi të Lezhës, ata nuk po qëndrojnë në qiell të hapur, por në një barakë pranë banesës së saj, ku mungon gjithçka. Tashmë kjo familje ndihet e pashpresë dhe janë të vetëdijshëm që nuk do të vonojë shumë atentati i radhës ndaj tyre

Hil Zef Plepi, kishte një familje të lumtur, i martuar me dy djem. Por pas vrasjes që kreu në vitin 1998, gjithçka ndryshoi e me futjen e tij në burg, ndodhi edhe divorci. Ai rrëfen se nuk i ka parë fëmijët prej vitesh, pasi ata jetojnë në Greqi me ish-bashkëshorten.  Lezina është bashkëjetuesja e tij prej disa vitesh. Ata sëbashku përjetuan edhe atentatin që iu bë 54-vjeçarit në qytetin e Durrësit, ku tentuan të nisnin një jetë të re. Hila gjatë këtij atentati la të plagosur agresorin dhe përfundoi disa muaj të tjerë në burg. Të ndodhur në një situatë të re, ku nuk kanë më asnjë shpresë për të ardhmen e asnjë siguri për jetën e tyre, Hila dhe Lezina bëjnë apelin e fundit për shtetin shqiptar dhe atë gjerman, që ti ndihmojnë sa nuk është vonë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb