Në 3 maj, qytetarët e Singaporit do t’i drejtohen kutive të votimit në një prej momenteve më delikate politike të dekadës së fundit. Këto zgjedhje do të shënojnë testin e parë elektoral për kryeministrin e ri Lawrence Wong, i cili mori drejtimin pas dorëheqjes së Lee Hsien Loong një figurë kyçe që udhëhoqi vendin për mbi dy dekada.
Fushata zgjedhore do të jetë e shkurtër, vetëm nëntë ditë, por sfidat për qeverinë janë afatgjata dhe të thella. Çështje si rritja e kostos së jetesës, kriza në sektorin e strehimit, sigurimi i vendeve të punës, si dhe shërbimet shëndetësore për një popullsi në plakje, kanë dominuar debatin publik.
Partia e Veprimit Popullor (PAP), që ka qeverisur vazhdimisht që nga viti 1959, pritet të sigurojë sërish shumicën. Por, klima politike po ndryshon: qytetarët kërkojnë më shumë transparencë, llogaridhënie dhe reforma në një vend të njohur për stabilitetin e tij, por edhe për kontrollin e rreptë politik.
Në zgjedhjet e fundit të vitit 2020, Partia e Punëtorëve, opozita kryesore në vend, shënoi një sukses historik duke fituar 10 vende në parlament rezultati më i mirë për ndonjë forcë opozitare që nga pavarësia e Singaporit në vitin 1965.
(BalkanWeb)