SHKUP– Ambasadori i ri i Federatës Ruse, Sergej Bezdnikin, i ka dorëzuar sot letrat kredenciale presidentit të Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov. Gjatë prezantimit, ai tha se vendimi i referendumit për emrin e Maqedonisë duhet të jetë i qytetarëve, dhe të mos imponohet nga jashtë.

“Me rëndësi të madhe është që ata të sillen rreptë në korniza të Kushtetutës, e jo ta shembin shtetin juridik. Të paraqesin pasqyrë të padyshimtë të vullnetit të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, e jo të imponohen nga jashtë. Ta bashkojnë, e jo ta përçojnë shoqërinë. Të mbështeten në parimet fundamentale të së drejtës ndërkombëtare të projektuara në kartën e OKB-së, e jo në konjukturën politike”, theksoi ambasadori Bazdnikin.

Siç njoftuan nga kabineti i presidentit, gjatë dorëzimit të letrave kredenciale nga ana e Bazdnikin, presidenti Ivanov theksoi se “marrëdhëniet Maqedoni-Rusi, kanë traditë të gjatë dhe të pasur, të miqësisë së sinqertë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë”, dhe sipas tij do të zhvillohen dhe intensifikohen edhe më tej në të gjitha sferat me interes të ndërsjellë.

Ndër të tjera, ambasadori rus Bazdnikin nënvizoi se “lidhjet shumëshekullore historike dhe shpirtërore, të cilat i ndërlidhin ngushtë popujt e dy vendeve, janë bërë bazë e fuqishme për ndërtimin e bashkëpunimit Maqedoni-Rusi, sidomos në sferën e lidhjeve tregtaro-ekonomike dhe investuese, si dhe në fushën e kulturës, arsimit dhe sportit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb