TIRANE- Si çdo qytetar tjetër i vendit, edhe krerët e shtetit dhe të politikës sot do t’u drejtohen kutive të votimit. I pari në radhët e politikanëve ka qenë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka votuar 8 e 30 në Qendrën e Votimit numër 13 në Njësinë 8, në rrugën “Riza Cerova”. Ai ka qenë bashkë më prindërit dhe vëllain e tij. Pasi ka votuar, Basha u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të votojnë masivisht. Më pas kanë votuar kandidatët për kryetarë të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Halim Kosova. Gjithashtu edhe Kryeministri Edi Rama ka votuar për herë të parë në Surrel.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani duket se ka qenë politikani më i përpikti me orarin, ndërsa iu drejtua qendës së tij të votimit orën 11:00 në qendrën e votimit në gjimnazin “A. Z. Çajupi”. Ilir Meta, kreu i Kuvendit votojë në zonën e ish-Bllokut në njësinë bashkiake nr.5, në Kopshtin Nr.31.

Kryeministri Rama votoi në shkollen “Ymer Lala”. Por në listat e zgjedhësve të shpallura nga KQZ-ja, kryeministri figuron votues i njësisë nr.7 në Tiranë, në shkollën “P.Budi”. Duket se në këtë rast, Rama ka vendosur vetëm nga vullneti e dëshira e tij për të votuar në zonën ku banon dhe jo nga detyrimi ligjor.

Sakaq, Erion Veliaj votoi tek shkolla ‘Fan Noli’. Ndërkohë kandidati i opozitës për Tiranën Halim Kosova hodhi votën e tij në qendrën e votimit pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, në njësinë 5 në kryeqytet.

NISHANI: MIRËNJOHJE KOMISIONERËVE, SOT JANË GJYKATËSIT E VULLNETIT TË QYTETAREVE
Ora:11:01- Presidenti Bujar Nishani, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij. Odeta Nishani i është drejtuar sot kutive të votimit, ku do të jap kontributin e tij me votë.
Gjatë fjalës së tij, kreu i Shtetit deklaroi se këto zgjedhje mbartin një rëndësi dhe kuptim të veçantë, pasi përkojnë me vitin e përkujtimit të 25 vjetorit të rënies së diktaturës. Nga ana tjetër, Nishani theksoi se të gjithë qytetarët duhet të ndihen të lirë, pasi vota e tyre është e shenjtë.

“Së pari dështoi t’ju uroj një proces të mbarë, të drejtë tek i cili shpresoj dhe besoj. Së dyti dua të citoj faktin se këto zgjedhje shënojnë një vit të rëndësishme të memories, në 25 vite të rënies së diktaturës. Sot kemi një liri reale, të madhe, ndaj ta shfrytëzojmë në mënyrën më të drejt, më të mirë të mundshme. Bazuar në eksperiencën personale, dua të çoj mirënjohjen time të gjithë komisionerëve dhe numëruesve. Ata janë sot gjykatësit e vullnetit të qytetareve shqiptarë. Ndaj dua që ti uroj atyre dhe ti përkushtoi për angazhimin. Mesazhi i sotëm ka të bëjë me pjesëmarrjen masive, që nga presidenti i vendit, dhe të gjithë qytetarët kanë të njëjtën fuqi përmes votën së tyre. Askush nuk do ti imponojë ata nga zgjedhja e tyre. Kryetarët e partive i inkurajoi që të japim mesazhe pozitive. Dëshiroi që ata të konsolidohen tek një politikë paqësore. “, tha Nishani.

KRYEMINISTRI RAMA VOTON NE SURREL: KUSH S’VOTON, S’KA TË DREJTË TË ANKOHET
Ora: 10:27- Kryeministri Edi Rama, së bashku me gruan e tij, Linda Rama i janë drejtuar qendrës së votimit, në shkollën “Ymer Lala” në Surrel, ku kanë hedhur votën e tyre në kutitë e votimit. Ashtu siç edhe pritej ai nuk ka dhënë asnjë mesazh politik, por u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votime.
“Unë i bëj thirrje të gjithë që të dalin dhe votojnë, duke votuar sot marrin pjesë në një proces historik të vulosjes së një procesi historik për Shqipërinë, reformën administrative- territoriale dhe pavarësisht se për kë votojnë të gjithë ata që votojnë janë qytetarë të mirë dhe që meritojnë respekt. Kush nuk voton nuk ka të drejtë të ankohet”, deklaroi Rama.
“Votova si katnar me fat, megjithëse me ndarjen e re territoriale nuk do të ketë më katunarë dhe qytetarë, pasi të gjithë do të jenë qytetarë të bashkisë së Tiranës”, tha Rama, duke iu përgjigjur pyetjes sesi u ndjeh gjatë votimit.
Komentet Kryeministri i bëri vetëm pak minuta pas procesit të votimit, ku bashkë me bashkëshorten e tin, Linda, votuan në qendrën e votimit në Surrel.

META: DISTANCOHUNI NGA AKTET E DHUNËS, ME RËNDËSI STANDARDI
Ora: 10:40- Kreu i LSI-së, Ilir Meta, së bashku me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, votoi sot në njësinë nr.5 në kryeqytet. Sapo la qendrën e votimit, Meta para mediave deklaroi se kjo është ditë është një festë për të gjithë shqiptarët, që sipas tij kjo është dita e demokracisë.

Ishte kënaqësi që të merrja pjesë në këtë festë të demokracisë. Është ditë historike ndaj do ti ftoja të gjithë ata që nuk kanë vendosur të marrin pjesë në këto zgjedhje, mos të humbasin mundësi. Nuk janë zgjedhje të zakonshme, pasi nga nesër do kemi një tjetër Shqipëri me organizim të ri. Do kemi një Shqipëri me ndarje të re territoriale. Ecuria është pozitive, situata e qetë dhe kështu duhet të vazhdojë.”, tha Meta. Nga ana tjetër, ai shtoi se duhet standard në këto zgjedhje, ndërsa iu drejtua të pavendosurve se ata duhet të votojnë, në mënyrë që nesër të kërkojnë llogari.

“Të gjithë duhet të vazhdojmë të sigurojmë zgjedhje me standard europian. U bëjmë thirrje të gjithëve të distancohemi nga akte të tilla dhune. U bëj thirrje qytetareve të që të distancohen nga këto akte dhe ti çojmë qytetarët që të drejtohen qendrave të votimit. Do tu mbetet merak nëse nuk votojmë sot. Zgjedhje do ketë dhe pas katër vitesh, por nesër nuk votojnë sot, nuk kanë shumë të drejtë për tu ankuar nesër”, përfundoi Meta.

BASHA APEL QYTETARËVE: VOTONI MASIVISHT, VOTA JUAJ ËSHTË FUQIA JUAJ
Ora: 08: 36- I pari në radhët e politikanëve ka qenë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka votuar në orën 8 e 30 në Qendrën e Votimit numër 13 në Njësinë 8, në rrugën “Riza Cerova”. Ai ka qenë bashkë më prindërit dhe vëllain e tij. Pasi ka votuar, Basha u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të votojnë masivisht. “Dua ti bëj thirrje qytetarëve në këtë ditë të madhe të marrin masivisht pjesë në votime. Ti bëj thirrje qytetarëve të Tiranës dhe anembanë Shqipërisë të ndajnë pak minuta nga koha e tyre të vijnë në qendrat e votimit, të hedhin votën. Vota juaj është fuqia juaj, vendimet merren nga ata që votojnë. Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, tha Basha.

BERISHA: KËTO ZGJEDHJE JANË TË PLAGOSURA, ZHVILLOHEN NË SHENJËN E MAFIES DHE KRIMIT
Ora 12:50- Ish-kryeministri Sali Berisha ka votuar në Qendrën e Votimit pas Liceut Artistik. Në një prononcim pasi ka votuar, Berisha deklaroi se këto zgjedhje janë të plagosura pasi zhvillohen në shenjën e mafies dhe të krimit.
“Janë zgjedhjet e para, të cilat zhvillohen në shenjën e mafies dhe të krimit nga ana e maxhorancës. Sigurisht edhe më parë elementë të tillë ka patur por jo me vetëdije. Qytetarët në disa nga bashkitë e vendit janë të thirrur të votojnë për kandidatë me të shkuar drogën, vrasjen, pengmarrjen, prostitucionin. Ka pasur hile të paimagjinueshme. Pritshmëritë, unë e kam besimin tek qytetarët. Këto zgjedhje janë të plagosura sepse kur kujton qëndrimin e kreut të Elbasanit ndaj gazetarëve ndihem jashtëzakonisht i lënduar, dy herë i lënduar sepse Don Qazimin e mori në mbrojtje Don Edvini. Presioni i tmerrshëm mbi gazetarët. Në vend që të dorëhiqej menjëherë gjen avokat don Edvinin dhe vazhdon i qetë kandidimin edhe sot”, tha Berisha.

KOSOVA: QYTETARËT TË USHTROJNË PUSHTETIN E TYRE DHE TË VOTOJNË
Kandidati i APPD, Halim Kosova ka votuar në qendrën e Votimit të vendosur në konsultoren e Njësisë 5, pranë stadiumit “Selman Stërmasi”. Edhe Kosova u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë.

“Këtu kam votuar gjatë gjithë jetës sime sepse këtu banoj. Mund të jetë një koincidencë shumë e bukur. Ftoj të gjithë banorët të respektojnë standardet të ushtrojnë pushtetin e tyre dhe të votojnë. Këto nuk janë zgjedhje politike, janë zgjedhje për menaxhimin e qytetit”, tha Kosova.

VELIAJ-TË RINJVE: VOTONI, JEPNI KONTRIBUTIN TUAJ PËR DEMOKRACI
Ora: 09:41- Kandidati i majtë për bashkinë e Tiranës, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij i është drejtuar kutisë së votimit në qendrën e shkollën “Fan Noli”. Gjatë një deklarate për mediat, Veliaj i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që ti drejtohen kutive të votimit. Nga ana tjetër, ai u bëri thirrje të gjithë votuesve të rinj, të japin kontributin e tyre për demokracinë.

“Së pari, dua të falënderoj të gjithë komisionerët, pavarësisht forcave politike. Është një akt qytetarie kur dikush vullnetarizohet dhe shërben në këtë funksion. Ndaj, ju falenderoj me gjithë zemër. Dua të përshëndes të gjithë ata që votojnë për herë të parë, është diçka shumë e bukur sepse bëhen aksionerë të demokracisë, kjo është një festë e demokracisë. Dua të bëj një përshëndetje të veçantë për të gjithë ata që kanë mbushur moshën 18 vjeç: Mirëserdhët si aksionerë të qytetit dhe të vendit tonë.

Dua gjithashtu, që t’i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që është shumë e rëndësishme që të votojmë. Ne ankohemi, shqetësohemi, por në fund fare ka rëndësi mënyra se si e shprehim atë që mendojmë, çfarë drejtimi duam t’i japim qytetit, çfarë drejtimi duam t’i japim vendit. Besoj se është një mundësi fantastike për të treguar se në cilin drejtim duam t’i çojmë gjërat, për t’i dhënë një mesazh politikës nëse duam një politikë që flet për gjëra konkrete apo një politikë që merret me sharje dhe me familjet.

Unë besoj se ç’është thënë në këtë fushatë meriton të vlerësohet dhe qytetarët të na japin me votën e tyre masive opinionin e tyre mbi drejtimin që duan ta çojnë vendin. Dua t’ju kujtoj se 4 vite më përpara rezultati u nda për 10 vota. Kjo do të thotë se çdo votë vlen dhe skeptiku dhe ciniku më i madh duhet të kuptojë që çdo votë vlen. Ndaj kjo është një festë e demokracisë dhe duhet të shkojmë si në festë dhe të sigurohemi që të kemi masivitet dhe pastaj ta lexojmë me transparencë atë rezultat dhe t’i futemi punës për të bërë gjërat e duhura.”, tha Veliaj.

DUMA: JANË VËREJTUR PARREGULLSI NË PROCES
Kandidatja e PD-së për Bashkinë e Durrësit i është drejtuar sot qendrës së saj të votimit për të votuar. Gjatë fjalës së saj, Duma theksoi se në procesin e votimit janë vërejtur parregullsi. Nga ana tjetër, kandidatja e djathtë pohoi se durrsakët kanë shumë arsye që të votojnë. “Probleme me votuesit fiktiv në 17 qendra votimi. Jemi duke i verifikuar të gjithë këto persona”, tha Duma.

BOJAXHI THIRRJE PËR VOTIM: ÇDO GJË ËSHTË E MUNDUR ME VOTË
Kandidati i pavarur per Bashkine e Tiranes, Gjergj Bojaxhi ka bërë mesazhin e tij për zgjedhjet e 21 qershorit.
Ai ka ftuar qytetarët të votojnë duke theksuar rëndësinë e votës. “Të dashur miq, Ju ftoj të gjithëve të votoni. Nuk ka ditë më të rëndësishme se dita e votimeve për një shoqëri. Aq më shumë për ne që vota e lirë na është mohuar aq gjatë në historinë tonë. Sot
e kemi dhe është mjeti më i fuqishëm për të ndikuar politikën dhe qeverisjen. Çdo gjë arrihet me votë.
Çdo gjë është e mundur me votë. Ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Bojaxhi në Facebook.

LUZI: VOTONI, ZGJEDHJET ME RËNDËSI HISTORIKE PËR TË ARDHMEN E SHQIPËRISË
Ora: 07:12- Kryetarja e KQZ, Lefterie Luzi voton në ZAZ numër 35 të vendosur tek Akademia e Arteve. Luzi ka qenë qytetarja e parë që ka votuar në këtë qendër votimi. Fill pas hedhjes së votës së saj në kutinë e votimit, Luzi i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, që të votojnë. Gjatë një deklarate para mediave, Luzi theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve. “Sikurse ju e kemi ndjekur KQZ ka punuar nderi në orët e para të mëngjesit për të bërë të mundur që sot ditën e zgjedhjeve çdo qytetar të votoje. Nuk kemi informacion nëse janë hapur të gjitha qendrat, do marrin informacionet e nevojshme pak më vonë. Baza materiale për të cilat ishte problematike në Kurbin është shpërndarë.”, tha Luzi. Teksa u ndal tek deklaratat e opozitës për Kavajën dhe Kurbinin, Luzi theksoi se të gjitha pretendimet e një subjekti politik duhet të respektohen. “Kjo është një deklaratë e subjektit zgjedhor dhe vendimmarrja e saj Sot shkoni të gjithë në qendrat e votimit, pasi siç e dini këto zgjedhje janë test i radhës për këto votime. Dua ti bëj thirrje dhe grave, se vota e tyre ka rëndësi, pasi vota e tyre është deri në 50 për qind. Ndaj ju ftoj dhe të rinjt që votojnë për herë të parë që ti drejtohen qendrave të votimit. I bëj thirrje gjithë shqiptareve që ti drejtohen qendrave të votimit, pasi këto janë zgjedhje me rëndësi, për të ardhmen e Shqipërisë. Duhet të ruajmë qetësi dhe të zhvillojmë zgjedhje të qeta“, përfundoi Luzi.

(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: