Kreu i PD Lulzim Basha i ftuar në studion e emisionit “Opinion” në “Tv Klan” tha ndër të tjera se regjimi i Edi Ramës ka mbaruar.


Basha u shpreh se Ramën e ka kapur panikun, ndërsa shtoi se nesër në protestë nuk do të ketë dhunë.


Fjala e Lulzim Bashës:


Së pari ju falenderoj për mundësinë, për këtë ndërhyrje telefonike, të cilën nuk kisha ndërmend ta bëja por u shtyva nga një zinxhir ngjarjesh. Duke shprehur vlerësim për transparencën që emisioni juaj ka bërë për ngjarje që kanë tronditur Shqipërinë e gjithë botën, këto javë e në veçanti ditët e fundit, nuk mund të mos dënoj me ashpërsinë më të madhe veglat qorre të propagandës qeveritare, siç është emisioni “Stop” në tv Klan, si dhe emisioni tjetër në Top Channel, dy vegla qorre të propagandës qeveritare në dy televizionet kombëtare, të cilat i janë bashkuar sot korit të sorrave në panik, të qeverisë, për të përhapur panik për ditën e nesërme.

Unë dua t’i dënoj me ashpërsinë më të madhe dhe t’u them qytetarëve: injorojini këto vegla qorre. Ato paguhen me paratë që ju vidhen ju. Këto televizione janë në shërbim të qeverisë.

Duke shprehur vlerësimin për transparencën që emisioni juaj ka bërë gjatë këtyre ditëve dhe javëve plot me ngjarje shokuese, dua ta bëj fare të qartë se këto vegla qorre kanë një dhe vetëm një qëllim, t’i shërbejnë propagandës qeveritare. Kjo tregon panikun që ka kapur Edi Ramën.

Unë dua t’ju them sot shqiptarëve që arsyeja e këtij paniku është se regjimi i Edi Ramës ka marrë fund tashmë. Ka marrë fund në çdo kancelari të perëndimit, siç ka marrë fund moralisht para syve të çdo shqiptari të ndershëm, demokrat a socialist.

Nuk ka sot asnjë qytetar shqiptar të ndershëm që do të jetojë me djersën e ballit, të kujdeset për fëmijët e vet që të mos jetë i shokuar kur ka zbuluar se çfarë bande kriminale kemi sot në krye të vendit dhe si është shkrirë në një qeveria me kriminelët e trafikantët.

E dyta që dua t’u them shqiptarëve është: unë nesër do të dal në protestë me familjen time, me dy vajzat e mia dhe u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të vijnë me fëmijët e tyre, me bashkëshortet e tyre, sepse do të jetë protesta më e madhe dhe më qytetare që ka njohur ndonjëherë Shqipëria.

Përpjekjet për të amnistuar krimet me të cilat është kapur  në flagrancë Edi Rama, duke inkriminuar opozitën kanë dështuar tashmë . shqiptarëve ju them se unë do të dal me vajzat e mia, me gruan time dhe ju bëj thirrje: merrni fëmijët me vete. Nuk do të ketë asgjë. Nuk do të ketë absolutisht asgjë që të kërcënojë një fije floku të një qytetari apo të një punonjësi të ndershëm të rendit. Kemi marrë të gjitha masat për të neutralizuar çdo provokator të qeverisë në bashkëpunim me shërbimet inteligjente të vendeve partnere në Tiranë me të cilët kam qënë në komunikim sot dhe dje.

(d.xh/Balkanweb)