SHKODËR

Asnjë produkt i Komisionit të Reformës Zgjedhor nuk do të njihet. Kështu ka deklaruar nga Shkodra kreu i PD-së Lulzim Basha. Ai tha se reforma do të votohet me referendum nga shqiptarët. Basha akuzoi qeverinë se ka shkatërruar biznesin e vogël, ka shkaktuar mjerim e papunësi.

“Ju e dini fare mirë bandat e taksidarëve kanë shkatërruar biznesin e vogël, kanë mbyllur qepenat e 30 biznesve përditë, kanë shkaktuar mjerim dhe papunësi. Duket në xhepat e zbrasur, tek fermerët e braktisur, duket tek mjerimi i pensionistëve, tek dëshpërimi i rinisë që ndodhet para dy alternativave: Të ulë kokën apo të ikë në emigracion. Asnjë prej këtyre alternativave nuk pranohet as nga këta 200 të rinj, as nga demokratët e tjerë. Ne do të qëndrojmë, ne do të përballemi, ne do të fitojmë.
Qytetarët e dinë se ajo që na pret në fund të kësaj beteje nuk është vetëm rotacioni politik. Rotacionin politik është i pashmangshëm. PD dhe aleatët janë maxhoranca numerike. Rotacioni është emergjencë kombëtare, po ne jemi në betejë për të diktuar që rregullat europiane të jenë rregullat e zgjedhjeve shqiptare.
Garancia e vetme është qeveria tranzitore pa Edi Ramen kryeministër”, deklaroi Basha.

Ai tha më tej se “përdhunuesi serial i zgjedhjeve, nuk mund të jetë kujdestar i zgjedhjeve”.
“Për këtë duhet një reformë e vërtetë zgjedhore për të cilën pyeten qytetarët. Kam një mesazh për ata që janë ulur bashkë me Damian Gjiknurin, që duhet të ishte në burg për vjedhje votash, të ulur bashkë me ata që janë kapur në përgjime duke blerë e shitur vota, duke kërcënar demokratët: Zonja dhe zoterinj, ai nuk është komisioni i reformës zgjedhore. Ai është, në pjesën më të madhe, komisioni i paraburgimit të Damian Gjiknurit me shokë. Asnjë produkt i tyre nuk përbën gjë tjetër veçse një turp. Nuk e njohim, nuk do ta njohim, mos harxhoni kohën kot”, theksoi Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb