Pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish futbollistit Ali Mema, një nga yjet e plejadës së artë të futbollit të Tiranës, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha .
“Ali Mema ishte simbol i besnikërisë, legjendë e përkatësisë së ngjyrave bardheblu të ekipit të kryeqytetit, por para së gjithash ishte shembull i sportistit dhe suksesit”, shkruan Basha në një postim në Facebook.
Postimi i Bashës
Kur mësova me dhimbje largimin nga jeta të Ali Memës, ikonë e futbollit të Sportklub Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, më erdhi në mendje një shprehje që e kam dëgjuar shpesh në fëmijërinë time: “Kush ka luajtur për Tironën dhe Vllazninë, ka luajtur për gjithë Shqipërinë”.
Këtë frazë e kam dëgjuar që i vogël, në shoqëritë e lagjeve të vjetra tiranase dhe mund të them me bindje të plotë se, nëse nuk ishte shpikur, i shkonte plotësisht për shtat Ali Memës.
Ikonë e futbollit tiranas, dhe pinjoll i Dinastisë “Mema”, kësaj familjeje të madhe kryeqytetase, Ali Mema zgjon veç kujtime krenare tek kryeqytetasit, shkodranët, por edhe tek të gjithë sportdashësit e futbollit, kudo ku janë.
Ali Mema ishte simbol i besnikërisë, legjendë e përkatësisë së ngjyrave bardheblu të ekipit të kryeqytetit, por para së gjithash ishte shembull i sportistit dhe suksesit. Trashëgimia e tij në historinë e dinastisë “Mema”, ku njëkohësisht dhanë kontributin e tyre vëllezërit Haxhiu, Beqiri e Osmani, si dhe pinjollët e tyre Sul e Ardian Mema, është shenjë se vitet e shtojnë lavdinë dhe e ndriçojnë suksesin e Ali Memës.
Kontributi i tij në suksesin e ekipit kryeqytetas të viteve ’60 është i kudogjindshëm, por është legjendar fakti se Ali Mema refuzoi të luante kundër ngjyrave të ekipit të tij të zemrës.
Tani që është mbyllur historia e tij personale, ne, fansat e kudogjindshëm dhe të pangopur për rrëfimet e sprovave të tij, kemi mundësinë të rrekemi të bëjmë bilancin e historisë së tij të pavdekshme sportive dhe qytetare që ka bërë krenar çdo shqiptar, anekënd.
Por unë kam një dëshmi personale e mund të them se shprehja “Kush ka luajtur për Tironën dhe Vllazninë, ka luajtur për gjithë Shqipërinë” është dëgjuar sa herë kemi pasur rastin të flasim për Ali Memën e papërsëritshëm në historinë e futbollit shqiptar.
Sa bukur i rrin Ali Memës kjo shprehje kujtese e mirënjohje mbarëkombëtare!
U prehtë në paqen e Zotit!
Ali Mema, është shuar pak orë më parë pas betejës me një sëmundje që e mundonte prej kohësh. Mema, ishte një nga shtyllat e 17 Nëntorit të viteve ’60-’70 dhe e Kombëtares së Shqipërisë.
(n.b/BalkanWeb)