TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boçi në një postim në faqen e tij të ‘Facebook’-ut ka komentuar situatën politike në vend, duke marrë shkas nga zgjedhja e kryeprokurorit e deri tek protesta që do të mbajë nesër opozita. Boçi ndërsa nuk ka kursyer ironitë për kryeministrin Rama shkruan se ‘Shqipërinë të gjithë e duam shumë e jo më kot e thërrasim me emrin përrallor: E Bukura e Dheut’.

“Kjo kryepërrallë në ndryshim nga ato klasiket është me personazhe realë, me rrëfimtarë konkretë, e mbushur me të fortë, banditë, mbretër, të deleguar e sundimtarë që japin mend e marrin vendime. Është me Ramë jo më me Katallan, është me Balil e Habil e jo më me lugatë, është me kryeprokuror e jo më me Kadi, është me ambasadorë e jo më me Bajlozë, është më drejtuese misionesh e jo më me Moira. Kjo nuk ndryshon asgjë në fakt.”, thuhet në shkrimin e deputetit demokrat.

MESAZHI I BOCIT
Shqipëria-kjo përrallë drejtësie
Shqipërinë të gjithë e duam shumë e jo më kot e thërrasim me emrin përrallor: E Bukura e Dheut.
Por kjo nuk mund ta shndërrojë atë në vendin që i nanurisen përralla e as në vendin që jeton me përralla. Përralla për barazi, përralla për lumturi, përralla për Europë e sidomos kryepërralla për Drejtësi. Kemi kohë që e dëgjojmë nga përrallistë modernë, vendas e të huaj, e që tirret e tirret vetëm për të vënë në gjumë mjerimin, për të mbajtur e përsëritur pushtetin e për të bërë padrejtësinë e radhës.
Kjo kryepërrallë në ndryshim nga ato klasiket është me personazhe realë, me rrëfimtarë konkretë, e mbushur me të fortë, banditë, mbretër, të deleguar e sundimtarë që japin mend e marrin vendime.
Është me Ramë jo më me Katallan, është me Balil e Habil e jo më me lugatë, është me kryeprokuror e jo më me Kadi, është me ambasadorë e jo më me Bajlozë, është më drejtuese misionesh e jo më me Moira. Kjo nuk ndryshon asgjë në fakt.
Fatkeqësia më e madhe e kësaj kryepërrallës sonë, është se ajo ose ai që do fitojë në fund, qartazi duket se nuk do jetë as e mira, as virtyti, as e drejta, siç ndodh në përrallat e zakonshme.
Jo.
Këtu nuk fitojnë as njerëzit e zakonshëm, të vërtetë e të ndershëm. As Gishtoja, as Qerosi, as Zanat, apo Shtojzovallet.
Ajo ose ai që fiton është e keqa, vesi, ligësia e poshtërsia.
Fiton Rama, klienti, koncesioni, krimi…
Dhe më e shëmtuara e kësaj përrallës së Drejtësisë është se ai që na e rrëfen është personazhi më negativ i saj. Është njësoj sikur përrallën e dikurshme të na e rrëfente Katallani, për të shpëtuar nga ndëshkimi hyjnor-popullor. Kryepërrallën tonë të drejtësisë ai që e përrallis sot është vetë Rama dhe ndonjë pasionant i Ramës dhe i përrallave.

Ai përcakton Kushtetutën, KED-in, KLP-në, Kryeprokurorin e cfarë t’i duhet….për të shpëtuar e fituar. Kriminelët i bën politikanë, dallkaukët intelektualë, lëpirësit pasunarë, kazanxhijtë vendimmarrës…
E në fund na e shet me “kartonat” e parlamentit të tij, sikur kjo kryepërralla është kryevërteta që na zbulon para nesh të Bukurën e Dheut….
Por Rama ka harruar një detaj:
Këtë kryepërrallën mgjs na e ka filluar me “Na ishte njëherë” për të mashtruar, nuk e mbyll dot me “Përralla ke kacarrumat, shëndetja ke çunat” e as me “Unë n’ shpi t’ florinit e ‘tjerët n’ kull’ t’Dukagjinit”.
Përralla e Drejtësisë shkërmoqet nga nesër, për ta shndërruar atë Histori të Drejtësisë dhe stoli “të Bukurës së Dheut”.
Zgjimi nga gjumi i përrallës, nis nesër në 9.30 para Parlamentit të përrallave….
Ju presim!!!!
(ed.me/Balkaneb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb