Kreu i opozitës, Lulzim Basha, është pyetur sot gjatë bashkëbisedimit me gazetarët lidhur me deklaratën e pak ditëve më parë të Presidentit Ilir Meta, i cili e krahasoi kryeministrin Edi Rama me Sllobodan Millosheviçin dhe këshilloi opozitën shqiptare të ndjekë shembullin e opozitës serbe.

Në lidhje me këtë, Basha tha se Meta po përpiqet të ndihmojë në zgjidhjen e krizës, ndërsa shtoi se procesi kërkon dialog.

“Presidenti po përpiqet të ndihmojë në zgjidhjen e krizës, thelbi është i njëjtë, duam të vijmë në pushtet me zgjedhje, qëndrimi ynë ndaj zgjedhjeve të organizuara nga Rama ka qenë i qartë, transparent dhe i faktuar pas 30 qershorit. Ne duam zgjedhje të lira e të ndershme, zgjedhje pa Ramën në një ditë me zgjedhjet vendore dhe kushtetuese.

Procesi kërkon dialog dhe ne e kemi bërë të qartë ndërkombëtarëve se jemi gati të kontribuojmë dhe janë një palë që e kanë refuzuar dhe pala është Rama dhe kupola e organizatës së rilindjes. Ky është një zhvillim shumë i rrezikshëm, se po refuzon zgjidhjen e krizës mes parimeve evropianë, jo përmes pazarit se do pazar dhe jo përmes normave demokratikë”, tha Basha.

Deklarata e Metës:
Nëse opozita në Serbi do të priste që Millosheviçi të dënonte Millosheviçin, apo të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme, padyshim që edhe sot e kësaj dite ai mund të ishte në pushtet po të mos i pushonte zemra. Por opozita mori vendimin më të drejtë duke u bashkuar, duke u përballur me të dhe duke e mundur. Më pas i vuri prangat dhe e përcolli për në gjykatën e Hagës. Ndaj zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për demokraci dhe drejtësi.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb