CERRAVE- Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ishte paraditen e sotme në tregun e kafshëve të gjalla, në fshatin Çërrave të Pogradecit. Teksa inspektoi kushtet në të cilat tregohen kafshët e gjalla në këtë treg, tha se “ky nuk mund të quhet i tillë”.

Kreu i Bujqësisë tha se institucioni që ai drejton do të marrë masa urgjente për të ndryshuar kushtet, pasi tregu për të qenë brenda standardeve kërkon kanale kulluese, ujë të pijshëm de streha të bagëtive.

“Kemi përgatitur një projekt për ta transformuar dhe kthyer tregun në një situatë normale. Dëgjova edhe problemet dhe shqetësimet e blegtorëve. Një nga problemet e ngritura, ishte çështja e matrikujve, kostot e së cilës, edhe këtë vit ne do t’i mbulojmë me fondet e Ministrisë së Bujqësisë. Ne tre vite e gjysmë, ajo që është me kryesorja është se arritëm të konsolidojmë sistemin e identifikimit, pasi matrikulimi është mjaft i rëndësishëm edhe për sigurinë ushqimore”, u shpreh ministri.

I pyetur në lidhje me situatën politike në vend, ministri Panariti tha se 18 qershori është një datë e dekretuar nga Presidenti për zgjedhjet parlamentare. Ai tha se pjesëmarrja e opozitës në zgjedhje është e rëndësishme, teksa shprehur besimin se vijimi i negociatave mes palëve mund të sjellë një zgjidhje.

“Ka një datë caktuar nga Presidenti. Por për hir të negociatave, nuk është asnjëherë vonë dhe do të dëshiroja që pjesë të ishte dhe opozita. Shpresoj që nga negociatat që po zhvillohen edhe në këto momente edhe në ditët në vazhdim. Duhet konsensus dhe kur ka konsensus e dëshirë, gjendet edhe zgjidhja”, u shpreh ministri Panariti.

Në lidhje me listat, që po shqyrton Kolegji Zgjedhor, për afatin e dorëzimit të tyre, tha se kjo është një çështje që i takon Kolegjit, ndërsa për zgjidhjen e krizës, ministri theksoi se “është optimist që do të gjendet një zgjidhje”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb